Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet sërish këtë vikend, ku sipas programit do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së 29-të.
Dy duelet e para që do të luhen sot (e shtunë) në kuadër të kësaj xhiroje janë Ferizaj-Prishtina e Re dhe Llapi-Prishtina.
Në takimin e parë tri pikët janë jetike për të dyja skuadrat, të cilat këtë edicion po luftojnë për të siguruar mbijetesën.
Përballja e fundit mes tyre kishte përfunduar me rezultat minimal 1-0 në favor të Prishtinës së Re.
Në anën tjetër derbi mes Llapit dhe Prishtinës po ashtu ka rëndësi të madhe për dy taborret.
Llapjanët të cilët këtë sezon kanë pasur një formë tejet të luhatshme, kërkojnë fitoren para publikut të tyre pas disfatës së fundit po ashtu në shtëpi, ndaj Drenicës me rezultat 1-0.
Prishtina në anën tjetër vjen në këtë ndeshje pas dy barazimeve radhazi dhe synon t’i jap fund kësaj forme me një fitore.
Në takimin e fundit mes këtyre dy skuadrave, Prishtina kishte marrë fitore të thellë me rezultat 4-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të dyja këto ndeshje pritet të nisin me fillim nga ora 15:00./Telegrafi/