Ka nisur sot Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2026”, i organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës, i cili po mbahet në Prishtina Mall dhe do të vazhdojë të jetë i hapur për vizitorë edhe nesër, më 18 prill.
I hapur për vizitorë nga ora 11:00 deri në 18:00, panairi po sjell në një hapësirë të përbashkët kompani vendore dhe ndërkombëtare, duke krijuar një pikë takimi për prezantimin e ofertave turistike, zhvillimin e bashkëpunimeve të reja dhe zgjerimin e rrjetit profesional në këtë sektor.
Në hapjen e panairit, kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje për zhvillimin e industrisë së turizmit në vend:
“Hapim së bashku edicionin e parë të panairit të Unionit të Turizmit Kosova 2026. Ky jubile i vogël, por shumë domethënës, dëshmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të vendosur turizmin në mesin e sektorëve prioritarë në zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë. Me një iniciativë modeste, ky panair është shndërruar në një platformë të rëndësishme bashkëpunimi, promovimi dhe rrjetëzimi të industrisë së turizmit në Kosovë.
Sot kemi një arsye shtesë dhe një optimizëm shtesë. Themelimi i Ministrisë së Turizmit shënon një hap të rëndësishëm për industrinë e turizmit në Kosovë. Unioni i Turizmit të Kosovës shpreh gatishmërinë e plotë për bashkëpunim dhe partneritet të ngushtë me këtë ministri, duke besuar se përmes këtij bashkëpunimi do të krijohen politika më të qëndrueshme dhe më të avancuara për zhvillimin e sektorit të turizmit.
Unioni i Turizmit të Kosovës është i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe të jetë krah për krah me Ministrinë e Turizmit, me një qëllim të përbashkët: zhvillimin, promovimin, standardizimin dhe avancimin e përgjithshëm të industrisë së turizmit në Kosovë. Në këtë drejtim presim që kjo ministri të marrë përgjegjësi të reja.”
Unioni i Turizmit të Kosovës e konsideron këtë panair si një ngjarje të rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e turizmit në vend, duke ftuar qytetarët dhe bizneset të marrin pjesë në këtë aktivitet.