Faqja propagandistike dhe e njohur për përmbajtje tendencioze “Kosovo i Metohija”, ka publikuar një postim me një grup vullnetarësh rusë dhe serbë të cilët kanë organizuar tre turne sportive bamirëse në Beograd, Vishegrad dhe Rashkë, me qëllim mbledhjen e fondeve për Manastirin e Shën Petkës në veri të Kosovës.
Sipas përmbajtjes së publikuar nga kjo faqe, aktivitetet u mbajtën në fund të tetorit.
Një turne në Rashkë ishte i dedikuar Slavës së Shën Petkës, ndërsa banorët kontribuuan duke organizuar një turne në fushën e tyre lokale dhe duke siguruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Po sipas shkrimit, shumat e mbledhura të parave janë transferuar në llogarinë e manastirit.
“Për tri ditë organizuan tri turne vëllazërore dhe vizituan edhe vende historike në Višegrad dhe Rashkë”, thuhet në postim.
Organizatorët thonë se aktivitetet e tyre nuk janë ndjekur nga mediat, ndërsa videot dhe fotot e turneve janë publikuar në profilin e tyre në Instagram.

Shkrimi i publikuar nga “Kosovo Metohija” përputhet me narrativat e zakonshme të faqes, e cila shpesh raporton për temat e Kosovës me tendencë të qartë, nxitjen e propagandës./TheGeopost.