Këtë koleksion aktorja e përshkruan si shtëpi, pa pretendime, pak francez dhe pak të egër
Pasi provoi veten në botën e bukurisë me linjën e saj për kujdesin e lëkurës, e më pas prezantoi edhe librin e gatimit, Pamela Anderson tani ka bërë hapin e radhës, këtë herë në botën e dizajnit të brendshëm. Në bashkëpunim me Olive Ateliers, ajo ka prezantuar koleksionin e saj të parë të mobilieve dhe dekorimeve prej ratani, material natyral bimor i njohur për qëndrueshmëri dhe pamje elegante.
Koleksioni i quajtur The Sentimentalist përfshin 40 pjesë për hapësira të brendshme dhe të jashtme, nga divanet dhe karriget relaksuese deri te tavolinat dhe shportat, të punuara kryesisht nga ratani natyral, të kombinuara me pëlhura karakteristike me vija blu dhe të bardha. I gjithë dizajni është frymëzuar nga kujtimet e saj personale, sidomos nga kujtimet për fermën e gjyshes pranë Salish Sea, gjë që i jep koleksionit një dimension emocional dhe nostalgjik, transmeton Telegrafi.
Koleksioni mbështetet në forma të përjetshme, por të interpretuara në mënyrë lozonjare dhe të rafinuar. Pjesët për relaksim kanë mbështetëse të rrumbullakëta, ndërsa karriget e ngrënies vijnë me vija më të drejta dhe me detaj të thurur në formë rombi në qendër. Në ofertë gjendet edhe një tavolinë ngrënieje prej druri teak me pamje lehtësisht të vjetruar. Ashtu si ratani, edhe ky material është zgjedhur me idenë që me kalimin e kohës të plaket natyrshëm dhe të krijojë patinë, duke theksuar më tej notën nostalgjike të koleksionit.
Ky koleksion shënon gjithashtu bashkëpunimin e parë jashtë studios së vet për Olive Ateliers, markë dizajni dhe punishte me seli në Los Angeles. Brendi u themelua në vitin 2021 nga Kendall Knox, Ben Knox dhe Laura Sotelo.
Koleksioni përfshin edhe mbulesa mbrojtëse të prodhuara nga 100 për qind olefin, të menduara që mobiliet të mbeten të mbrojtura nga ndikimet e jashtme dhe kushtet atmosferike.
“Jam rritur pranë detit. Më kujtohet kasollja jonë e vogël në plazhin shkëmbor, druri ishte argjenduar nga vitet, kripa dhe koha. Edhe atëherë më tërhiqnin gjërat që plaken e zbuten me kohën, mobiliet që të përqafojnë në agim, pjesët që bëhen më të bukura sa më gjatë të jetosh me to. Sendet më të mira bëhen pjesë e ritualeve tua. Kur zbulova për herë të parë Olive Ateliers, e njoha të njëjtin respekt për papërsosmërinë dhe ndjeshmërinë. Besimin se gjërat me të cilat jetojmë duhet të kenë shpirt, histori dhe të jenë të krijuara për të zgjatur. Ky koleksion më duket si shtëpi: pa pretendime, pak francez, pak i egër. Pjesë të krijuara për përdorim dhe për jetë. Jam shumë e emocionuar ta ndaj me ju dhe mezi pres të shoh si do të jetoni me të”, thuhet në përshkrimin zyrtar të koleksionit në faqen e Olive Ateliers. /Telegrafi/