Bllokada kthehet kundër vetes, duke shtyrë kërkesën globale për naftë drejt ShBA-së, teksa cisternat vërshojnë në Bregun e Gjirit.
Nga: Kelly Sadler / The Washington Times (titulli: Trump is right: Iran has no cards)
Përkthimi: Telegrafi.com
Një flotë e madhe cisternash nafte po drejtohet drejt Gjirit të Amerikës, teksa blerësit aziatikë kërkojnë të kompensojnë humbjen e eksporteve iraniane duke iu drejtuar furnizuesve amerikanë.
“Numra masivë cisternash nafte plotësisht bosh, disa nga më të mëdhatë kudo në botë, po drejtohen tani drejt Shteteve të Bashkuara për t’u ngarkuar me naftën më të mirë dhe ‘më të ëmbël’ (dhe gazin!) në botë”, postoi këtë fundjavë presidenti Trump në rrjetet sociale. “Ne kemi më shumë naftë se dy ekonomitë më të mëdha të naftës së bashku – dhe cilësi më të lartë. Po ju presim. Kthim i shpejtë”.
Sipas firmës kërkimore të naftës, Kpler, 121 cisterna bosh janë në rrugë drejt ShBA-së – krahasuar me 24 një javë para fillimit të luftës me Iranin në shkurt. Vitin e kaluar, mesatarja ishte 27 cisterna. Kpler vlerëson se eksportet amerikane të naftës bruto do të arrijnë një rekord prej 5.2 milionë fuçi në ditë në maj.
Shumë prej këtyre cisternave bosh po kalojnë përmes Kanalit të Panamasë, të cilin vitin e kaluar z. Trump e siguroi nga kontrolli kinez. Me korporatën Chevron që tani importon ekuivalentin e 250 000 fuçive në ditë naftë bruto nga Venezuela – pas rrëzimit nga z. Trump të diktatorit Nicolás Maduro – furnizimi amerikan është i bollshëm.
“Ne mendojmë se mund ta rrisim këtë edhe me 50 përqind, pra diku rreth 350 000 deri në 400 000 fuçi në ditë vetëm nga pjesa e Chevron-it në pozicionin tonë në Venezuelë”, tha Andy Walz – president i operacioneve përpunimit, transportit dhe kimikateve të Chevron-it në Misisipi – javën e kaluar për BBC-në.
Të hënën, nën drejtimin e z. Trump, hyrja dhe dalja nga portet e Iranit përgjatë Ngushticës së Hormuzit u bllokua dhe u ndalua çdo anije që i paguante tarifë kalimi Iranit.
Komanda Qendrore e ShBA-së paralajmëroi se çdo anije që shkon drejt ose nga Irani është “subjekt i ndalimit, devijimit dhe kapjes”. Ajo shtoi se dërgesat humanitare, përfshirë ushqimet, furnizimet mjekësore dhe mallrat e tjera thelbësore, do të lejohen duke iu nënshtruar inspektimit.
Parandalimi i Iranit për të shitur naftën e tij, që përbën deri në 40 përqind të të ardhurave të qeverisë, do ta falimentojë vendin dhe do ta privojë Kinën nga rreth 12-13 përqind të importeve të saj totale detare të naftës bruto. Vlerësimet tregojnë se Kina përbën më shumë se 80 përqind të eksporteve totale të naftës së Iranit.
Kina po goditet gjithashtu nga sanksionet e z. Trump mbi eksportet venezuelase të cilat përbënin 4-5 përqind të importeve të saj totale të naftës dhe tani po i mohohen ato.
Në një goditje mjeshtërore, z. Trump tani ka ndikim të madh mbi Kinën, Iranin dhe pjesën tjetër të botës. Arabia Saudite, e cila thuhet se e ka inkurajuar presidentin të përfundojë punën në Iran, njoftoi këtë fundjavë se ka rikthyer kapacitetin e plotë në tubacionin e saj Lindje-Perëndim, duke i lejuar të devijojë eksportet nga Deti i Kuq. Emiratet e Bashkuara Arabe mund të anashkalojnë pjesërisht Ngushticën e Hormuzit duke përdorur tubacionin e saj të naftës bruto të Abu Dabit.
Ndërsa ShBA-ja punon për të pastruar Ngushticën e Hormuzit nga minat e vendosura nga Irani dhe për të siguruar kalimin e lirë, francezët dhe britanikët ia kanë borxh ShBA-së një kërkimfalje dhe një falënderim. Anijet franceze dhe britanike thuhet se paguan dy milionë dollarë [1.7 milion euro] “tarifa mbrojtjeje” regjimit islamik për të lundruar përmes Hormuzit, duke ndihmuar dhe mbështetur terroristët ndërsa nuk ofronin asnjë mbështetje për veprimin ushtarak të ShBA-së.
Këtë javë, Britania dhe Franca planifikojnë të organizojnë bashkërisht një samit për të zhvilluar një plan “për të mbrojtur transportin ndërkombëtar kur konflikti të përfundojë”, shkroi të hënën në rrjetet sociale, kryeministri britanik Keir Starmer.
Një samit. Për të zhvilluar një plan. Për t’u zbatuar pasi konflikti të ketë përfunduar. Patetike nga aleatët tanë perëndimorë.
Regjimi iranian gaboi në llogaritje: ai mendoi se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit do të shkaktonte kaos ekonomik global që do ta detyronte z. Trump të ndalte operacionet amerikane kundër tij. Kjo nuk ndodhi.
ShBA-ja, në dominimin e saj energjetik, është bërë eksportuesi numër një në botë i naftës dhe gazit, me gjithnjë e më shumë vende që devijojnë furnizimet e tyre drejt Amerikës. Shtetet arabe kanë ndryshuar eksportet e tyre për të shmangur ngushticën. ShBA-ja ka dominim të plotë ushtarak mbi Iranin dhe ka filluar ta mbytë ekonomikisht regjimin.
Siç ka thënë presidenti, Irani nuk ka “asnjë opsion” [no cards], ndërsa, nën udhëheqjen e z. Trump, ShBA-ja ka ndikim maksimal. /Telegrafi/