Ueb-faqja e rezervimeve të akomodimit Booking.com ka pësuar një shkelje të të dhënave me “palë të paautorizuara” që fitojnë qasje në të dhënat e klientëve.
Platforma tha se “vërejti një aktivitet të dyshimtë që përfshin palë të treta të paautorizuara që kanë mundur të aksesojnë disa nga informacionet e rezervimit të mysafirëve tanë”.
“Pas zbulimit të aktivitetit, ne morëm masa për të kontrolluar problemin”, tha ajo.
“Ne kemi përditësuar numrin PIN për këto rezervime dhe i kemi informuar mysafirët tanë”, shtoi ndër tjera, transmeton Telegrafi
Kompania, me seli në Amsterdam, liston më shumë se 30 milionë vende akomodimi në të gjithë botën dhe thotë se lidh “miliona udhëtarë” me përvoja, transport dhe vende qëndrimi.
Booking.com nuk pranoi të thoshte se sa njerëz kishte prekur hakimi. Një zëdhënës tha se “nuk u aksesua informacioni financiar”.
Një email nga kompania drejtuar klientëve të prekur tha se hakerat mund të kenë qenë në gjendje të aksesojnë “informacione të caktuara të rezervimit” të lidhura me një rezervim të mëparshëm që klienti bëri.
“Bazuar në gjetjet e hetimit tonë deri më sot, informacioni i aksesuar mund të përfshijë detajet e rezervimit dhe emrat, email-et, adresat, numrat e telefonit të lidhura me rezervimin dhe çdo gjë që mund të keni ndarë me akomodimin”, tha ajo.
Ky është rasti më i fundit në një seri përpjekjesh për krim kibernetik në Booking.com. Kompania kohët e fundit ka hasur vështirësi me numrin në rritje të mashtrimeve online në platformën e saj, ku mashtruesit kërkojnë detajet e pagesës për t’u autorizuar paraprakisht ose për t’u verifikuar para një udhëtimi, dhe më pas ngarkojnë shuma të larta. /Telegrafi/