Persona ende të panjohur mëngjesin e djeshëm kanë tentuar të djegin Sinagogën hebraike në Shkup. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:50 minuta ndërsa gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë së objektit fetar.
Dy persona të maskuar kanë tentuar të djegin një objekt të Bashkësisë Hebraike në Shkup. Që të dy kanë kërcyer gardhin e objektit, kanë derdhur benzinë dhe kanë shkaktuar zjarr duke hedhur flakadan.
Nga zjarri është shkaktuar vetëm dëm material dhe nuk ka persona të lënduar. Kryetari i Bashkësisë Hebraike në Maqedoni, Pepo Levi, për Alsat tha se pas incidentit kanë marrë telefonata të shumta nga krerët e bashkësive fetare në vend prej të cilëve u është ofruar ndihmë. Siguroi se nuk kanë pasur asnjë mosmarrëveshje me askënd.
“Maqedonia është vend demokratik me popull i cili respekton historinë dhe hebrenjtë. Nuk është përjetuar një gjë e tillë që nga koha e Hitlerit. Gjuhë të tillë të urrejtjes unë nuk kam pritur. Kam besim të plotë te shteti dhe policia dhe besoj se kryerësit do të kapen. Ata do ti konfirmojnë motivet për atë se pse dhe si ka ndodhur kjo vepër. Pak mungoi që të digjet e tërë ndërtesa dhe Sinagoga brenda saj”, deklaroi Pepo Levi – Kryetar i Bashkësisë Hebraike në Maqedoni.
Për momentin zjarrvënësit janë ende të pa njohur për policinë. Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se në oborrin e Sinagogës kanë gjetur kanistër për benzinë dhe se po punohet për zbardhje të plotë të rastit. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova së fundmi pas seancës së këshillit të sigurisë më 1 mars, pati theksuar se gjithandej në botë objekte fetare hebraike dhe sinagoga janë nën rrezik dhe se duhet tu kushtohet vëmendje të veçantë./Alsat/