Një rast i armëmbajtjes pa leje është raportuar në rrugën për në Bjeshkën e Radushës, në komunën e Istog, ku policia ka ndaluar një të mitur të dyshuar.
Sipas njoftimit, më 12 prill 2026 rreth orës 23:20, njësia policore ka tentuar të ndalojë një veturë, por drejtuesi nuk është ndalur fillimisht. Pas ndjekjes, vetura është ndaluar nga policia.
Gjatë kontrollit, është gjetur dhe sekuestruar një karikator i armës AK-47 me 29 fishekë.
Ndërkohë, në afërsi të vendit të ngjarjes, policia ka gjetur edhe një armë automatike AK-47 me karikator dhe 19 fishekë, që dyshohet se është hedhur nga vetura gjatë lëvizjes.
Drejtuesi i veturës, një i mitur kosovar, është arrestuar në vendin e ngjarjes.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 24 orë. /Telegrafi/