Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka lansuar sot Barometrin për Ballkanin Perëndimor, ku theksohet se 64 për qind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor mbështesin integrimin në Bashkimin Evropian, që është një rritje prej 10% më shumë se vitin e kaluar.
Barometri për Ballkanin Perëndimor është publikuar sot në Bruksel, ndërsa gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj raporton se referuar barometrit 64 për qind e njerëzve në rajon janë të bindur se bashkëpunimi rajonal do të përmirësojë situatën ekonomike.
Tutje, nga të dhënat e barometrit del se 37% e njerëzve në Ballkanin Perëndimor thonë se politika nacionaliste e pengon më së shumti bashkëpunimin rajonal.
Lidhur me këtë, Amer Kepatnoviq, nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council) thotë se ‘Ballkan Barometer’ është rruga e dëgjimit të njerëzve të rajonit.
“Ajo që do shihni sot në disa segmente duhet të jetë brengosëse për të gjithë”, tha ai.
Tutje, në këtë Barometër për Ballkanin Perëndimor, ndër shqetësimet kryesore janë: rritja e çmimeve, korrupsioni, situata politike e papunësia. /Telegrafi/