Nga: Kolegjiumi i redaksisë i ditores California Post
Rrallëherë shprehja “mirë që ikën” ka dalë më lehtë nga goja.
Është kënaqësi të shohësh Administratën Trump të dëbojë shtetas të huaj që shijojnë lirinë e ShBA-së ndorkohë që bëjnë tifozeri për armiqtë e ShBA-së.
Në javët e fundit, The California Post ka raportuar gjerësisht për shtetas iranianë – kryesisht të afërm të përkëdhelur të elitave të regjimit në Teheran – që çojnë jetë luksi në Shtetet e Bashkuara.
Për amerikanët, kjo është poshtëruese.
Mund të jetë gjithashtu kërcënim për sigurinë kombëtare.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e kupton këtë dhe ka anuluar sistematikisht kartat e gjelbra të vizitorëve të huaj të lidhur me armiqtë e ShBA-së. Boll mirë.
– Lexo po ashtu: Familjet e anëtarëve të regjimit iranian që jetojnë në luks në ShBA
Departamenti i Shtetit njoftoi për më shumë dëbime (në pritje) të shtunën – pasi autoritetet arrestuan Seyed Eissa Hashemin, djalin e një propagandisteje të quajtur “Maria që ulërin” e njohur për retorikën e saj të ndyrë antiamerikane.
Kjo nënë zëdhënëse, Masoumeh Ebtekar, ishte mbështetëse e paturpshme e militantëve që rrëmbyen 52 amerikanë nga Ambasada e ShBA-së në Teheran në vitin 1979 dhe i mbajtën peng për 444 ditë.
Dhe, tani, familja e saj jeton – në luks – në prehrin e të njëjtit “Djall të Madh” që ajo e përçmoi gjatë dhe zëshëm
Jo. Nuk duhet të jetë kështu.
Shtetasit e huaj që dënojnë Amerikën, promovojnë armiqtë e ShBA-së dhe bëjnë aleanca me ata që do të shkatërronin Perëndimin, nuk kanë pse të jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Prandaj, është mirë që Trumpi dhe të tijtë kanë anuluar kartat e gjelbra për të farefisin e kërcënuesve iranianë, duke përfshirë:
– Mbesën dhe stërmbesën e udhëheqësit të ndjerë të Forcës Kuds, Qassem Soleimani.
– Tre anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
– Vajza e ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
Sajonara, të gjithëve.
Merrni parasysh, për një moment, rastin e mbesës së Soleimanit.
Autoritetet federale e akuzuan Hamideh Soleimani Afsharin për përhapje të propagandës iraniane, për brohoritje ndaj sulmeve kundër forcave të ShBA-së, për lavdërim të Udhëheqësit të ri Suprem të Iranit dhe (sigurisht) për sharje të Amerikës si “Djalli i Madh” – të gjitha këto nga rehatia e Los Anxhelosit.
E habitshme, apo jo? Nëse vërtet besojnë se ShBA-ja është “Djalli i Madh”, atëherë pse të vendosen dhe të ndërtojnë jetën këtu?
Kjo hipokrizi nuk është risi, me një varg rastesh të tjera që shtrihen ndër vite. Por, mungesa e risisë nuk e bën sjelljen më pak të neveritshme.
Jeta luksoze e këtyre elitave në ShBA është gjithashtu një fyerje për iraniano-amerikanët dhe për popullin e Iranit që e urren një regjim mizor që i ka torturuar dhe shtypur për dekada.
Në dhjetor dhe janar, qeveria e Iranit vrau mijëra iranianë që kërkonin liri dhe ndryshim regjimi.
Shumë iraniano-amerikanë krenarë, përfshirë ata në “Teheranxholesit” në Los Anxhelosin Perëndimor, kanë të afërm që vazhdojnë të jetojnë në kushte brutale në Iran.
Ata që janë të lidhur me terroristët e regjimit iranian nuk kanë vend këtu. Lavdërime për Rubio që i ka dëbuar. /Telegrafi/