Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhëresë për mbylljen e dy Ambulancave të Mjekësisë Familjare në vendbanimet Banjë dhe Syriganë, të banuara me komunitet joshumicë serb.
Në një reagim në Facebook, Lushtaku ka thënë se këto institucione kanë funksionuar jashtë rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës.
“Pas pranimit të informatave dhe verifikimit të tyre, kam lëshuar urdhëresë për mbylljen e dy Ambulancave të Mjekësisë Familjare në Banjë dhe Syriganë, të cilat kishin filluar të funksiononin ilegalisht nën menaxhimin e strukturave paralele serbe”, ka deklaruar Lushtaku.
Ai ka theksuar se gjatë inspektimeve janë gjetur parregullsi serioze në funksionimin e tyre.
“Ajo që kemi gjetur është e papranueshme: medikamente pa banderola dhe me afat të skaduar, përdorim i vulave dhe recetave mjekësore pa prezencën e mjekut dhe shumë shkelje të tjera që bien ndesh me ligjet dhe protokollet shëndetësore”, ka thënë ai.
Sipas Lushtakut, këto veprime paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve.
“Kjo përveçse shkelje ligjore, përbën rrezikim të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, ka shtuar ai.
Kryetari i Skenderajt ka bërë të ditur se janë njoftuar edhe institucionet përkatëse.
“Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe kemi njoftuar edhe autoritetet përkatëse, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale”, ka deklaruar Lushtaku.
Ai ka theksuar se këto dy njësi mund të rikthehen në funksion vetëm pas integrimit në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/