Studentët Mevlan Ademi dhe Besjan Rexhepi, të cilët ishin ndër organizatorët e protestës së studentëve më 6 prill, ishin të ftuar në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilët diskutuam për kërkesat e tyre, protestën, si dhe hapat e ardhshëm.
Kryetari i Parlamentit Studentor të UEJL-së, Besjan Rexhepi foli për atë se si nisi iniciativa për të protestuar, ndërsa tha se është e pakuptimtë që studentët shqiptar të Fakultetit Juridik të studiojnë në gjuhën shqipe, ndërsa provimin e Jurisprudencës ta japin në gjuhën maqedonase.
“Tema tani është nevojë dhe kërkesë e studentëve. Studentët katër vite studiojnë në gjuhën shqipe, plus master, dhe në fund provimin ta japin në gjuhën maqedonase është e pakuptimtë”, tha Rexhepi.
Ndërsa studenti Mevlan Ademi tha se kanë marrë mbështetje nga partitë politike, por tha se ato bëjnë lojërat e tyre.
“Të gjithë thonin e keni mbështetjen se është e drejtë e garantuar me ligj. Partitë e bëjnë lojën e vete. Por ne nuk bisedojmë për parti politike, shpesh i kemi lutur edhe ata që të mos merren me ne, por me thelbin e problemit. Kauza është shumë e sinqertë, në mes tre parlamenteve studentore”, tha Ademi.
Ai gjithashtu tha se ka pasur tentativa për t’i përçarë studentët, gjegjësisht disa për t’i bindur kundër qëllimit të protestës.
Ndërsa Rexhepi theksoi se protesta ishte e qetë dhe se mesazhi i studentëve u dëgjua edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
“Protesta ishte e qetë dhe kishim përkrahje masive. Zëri i jonë u dëgjua edhe në Kosovë dhe Shqipëri”, tha Rexhepi.
Studentin Ademi e pyetëm edhe për marrjen në pyetje nga policia, ndërsa tha se është pyetur për gjëra të kota nga inspektorët policorë.
“Inspektorët ishin të sjellshëm, por pyetjet ishin të kota. Më pyetën për gjëra të cilat i kishim shënuar në njoftim. Nuk ka nevojë të mbahem me orë në stacion policor, për gjëra që ne i kemi shkruar në njoftim. Të hënën kur shkuam për në Shkup, u ndalëm para hyrjes në Shkup dhe na pritnin njësitë speciale. Nuk më duket e logjikshme që studentët të priten me njësi speciale. Kemi përgatitur një shkrim për faktorin ndërkombëtar për këto ngjarje”, tha Ademi.
Ndërsa sa i përket asaj që vijon, studenti Rexhepi tha se do të kenë takim dhe më pas do të vendosin për hapat e mëtejshëm.
“Javën në vijim do të vendosim se çfarë do të bëjmë më pas. Do të kemi takim dhe do të vendosim. Jemi të vetëdijshëm se mund të na ofrojnë zgjidhje gjysmake. Më e mira do të ishte të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve”, thanë studentët./Telegrafi/