Partia hungareze e qendrës së djathtë Tisza ka marrë një epërsi ndaj partisë në pushtet Fidesz të kryeministrit Viktor Orban, në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen të dielën, sipas rezultateve të një sondazhi të publikuar sot në gazetën Nepszava.
Sipas analizës së publikuar, Orbán po përballet me sfidën më serioze gjatë 16 viteve të tij në pushtet, ndërsa gara zgjedhore mbetet e hapur dhe e pasigurt për shkak të numrit të lartë të votuesve të pavendosur. Kjo situatë e bën edhe më të vështirë parashikimin e rezultatit final, raporton Reuters.
Partia Tisza, e udhëhequr nga ish-bashkëpunëtori i qeverisë Peter Magyar, aktualisht gëzon mbështetjen më të madhe në mesin e votuesve që kanë vendosur tashmë për zgjedhjen e tyre.
Sipas të dhënave të institutit Publicus, 52 për qind e këtyre votuesve deklarojnë se do të votojnë për Tisza-n, ndërsa 39 për qind mbështesin Fidesz-in e Orbanit.
Në nivel të përgjithshëm të elektoratit, sondazhi i realizuar me 1000 pjesëmarrës tregon një diferencë më të ngushtë: 38 për qind e të anketuarve mbështesin Tiszan, ndërsa 29 për qind janë në favor të Fideszit.
Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e votuesve, rreth 25 për qind, mbeten ende të pavendosur, duke lënë hapësirë të madhe për ndryshime të mundshme në ditët e fundit para zgjedhjeve dhe duke e bërë garën ende të paparashikueshme. /Telegrafi/