Real Madrid mund ta ketë marrë tashmë vendimin për të ardhmen e Xabi Alonsos pas humbjes 2-1 ndaj Manchester Cityt.
Të mërkurën mbrëma, Real Madrid priti Manchester Cityn në “Santiago Bernabéu” për një ndeshje tejet të rëndësishme në Ligën e Kampionëve.
Para ndeshjes, presioni mbi trajnerin Xabi Alonso kishte arritur pikën kritike, mes raportimeve se tekniku spanjoll e ka humbur mbështetjen e dhomës së zhveshjes.
Fatkeqësisht për Alonson, sfida nuk shkoi sipas planeve. Edhe pse madrilenët kaluan fillimisht në epërsi, ata u mposhtën 2-1 falë golave të Nico O’Reilly dhe sulmuesit të Cityt, Erling Haaland.
Dhe në vijim të këtij rezultati, duket se Real Madrid ka marrë tashmë një vendim sa i përket së ardhmes së Alonsos në klub.
Sipas raportimeve të Team Talk, kjo ndeshje ishte mundësia e fundit e Alonsos për të qëndruar në krye të madrilenëve.
Me vetëm gjashtë pikë të grumbulluara nga 15 të mundshme në pesë ndeshjet e fundit të La Ligës, drejtuesit e klubit thuhet se kanë mbajtur një takim urgjent për të analizuar situatën e trajnerit.
Megjithëse mendimet kanë qenë të ndara, është vendosur që Alonso të drejtonte skuadrën në ndeshjen ndaj Manchester Cityt.
Por dështimi për të marrë një rezultat pozitiv pritet të sjellë shkarkimin e tij nga detyra./Telegrafi/