Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e përshkroi marrëveshjen dyjavore për armëpushim me Iranin si një “fitore” për Shtetet e Bashkuara.
“Ai (Trump) tha se ky do të ishte një operacion ushtarak katër deri në gjashtë javë për të eliminuar kërcënimin ushtarak që paraqet Irani”, tha ajo gjatë konferencës për shtyp, duke shtuar se “falë aftësive të jashtëzakonshme të luftëtarëve amerikanë, Shtetet e Bashkuara kanë arritur dhe madje kanë tejkaluar objektivat kryesore ushtarake”.
Leavitt theksoi se në vetëm 38 ditë, ushtria amerikane kishte shkatërruar bazën industriale të mbrojtjes së Iranit dhe aftësinë e Teheranit për të prodhuar armë, shkruan skynews.
Duke mohuar se presidenti Donald Trump kishte pranuar kushtet e armëpushimit të Iranit, Leavitt tha se lista fillestare e Teheranit – publike si një plan paqeje me 10 pika – ishte “hedhur nga presidenti Trump”. Ajo e përshkroi këtë plan si “thelbësisht jo serioz”.
Sipas saj, regjimi iranian më pas pranoi realitetin dhe paraqiti një plan të përmbledhur me dhjetë pika, që “përputhej me propozimin tonë me 15 pika”. Ky plan privat ishte “plotësisht i ndryshëm,” shtoi Leavitt.
“Ideja që presidenti Trump mund të pranonte ndonjëherë një listë dëshirash iraniane si marrëveshje është plotësisht absurde”, theksoi ajo.
Leavitt gjithashtu theksoi se ajo që Irani publikon është “shumë e ndryshme” nga ajo që i komunikon Trumpit privatisht. Vija e kuqe e presidentit – veçanërisht ndalimi që Irani të ketë uranium të pasuruar që mund të përdoret për armë bërthamore – mbeten të pandryshuara.
Ndryshe, Irani kishte vendosur dhjetë kushte për përfundimin e luftës, përfshirë tërheqjen e bazave ushtarake amerikane nga Lindja e Mesme dhe një tarifë prej dy milionë dollarësh për çdo anije që kalon Ngushticën e Hormuzit. /Telegrafi/
– YouTube youtu.be