Zbuloni si të arrini një pamje të butë me nuanca kafe dhe njihuni me zgjedhjet më të mira për këtë sezon
Maskara e zezë është një klasik i grimit, por ndonjëherë mund të duket e fortë dhe tepër e theksuar. Për përditshmëri, shpesh synojmë një grim më natyral, që e thekson fytyrën në mënyrë të butë pa qenë i rënduar. Qoftë nëse dëshironi këtë ndryshim të thjeshtë, apo kërkoni një maskarë rezistente ndaj ujit që i përballon edhe lotët më emocionalë, maskara kafe është produkti që ju duhet. Ajo është pjesë e domosdoshme në çantën e shumë vajzave moderne, falë aftësisë për t’i zgjatur, ngritur dhe kthyer qerpikët duke ruajtur një pamje krejt natyrale.
Maskara e zezë krijon një efekt të fortë dhe të dallueshëm, që padyshim ka përparësitë e veta dhe ofron një pamje klasike të përjetshme. Megjithatë, përparësia e maskarës kafe qëndron te fakti se duket më e butë dhe më pak kontrastuese, duke e bërë zgjedhje ideale për një pamje më natyrale të qerpikëve. Kjo e bën veçanërisht të përshtatshme për personat me lëkurë të çelët, flokë bjonde ose qerpikë të hapur, trasnmeton Telegrafi.
A ju përshtatet maskara kafe?
Nëse po pyesni veten nëse ju shkon, përgjigjja në shumicën e rasteve është po. Maskara kafe mund të përdoret nga të gjithë dhe i përshtatet çdo ngjyre sysh. Megjithatë, ajo theksohet veçanërisht bukur te sytë blu. Kontrasti mes ngjyrës blu dhe asaj kafe krijon një efekt shumë tërheqës, duke i bërë sytë të duken më të thellë dhe më shprehës.
Ekspertët theksojnë se maskara kafe është zgjedhje ideale “kur dëshironi një pamje më të butë, ndërsa stili i grimit evoluon me kalimin e viteve”. Prandaj, ky produkt është i përkryer për një paraqitje më të natyrshme dhe më pak dramatike.
Si të përdoret maskara kafe?
Grimierët këshillojnë që mbi kapakët e syve të aplikoni një hije në ton çokollatë me bazë të ngrohtë, të kombinuar me një laps sysh ngjyrë kafe që e definon butësisht syrin, sipas tonit të lëkurës suaj. Për një pamje moderne dhe të lehtë për t’u mbajtur çdo ditë, përfundoni gjithçka me një maskarë në nuancë gështenje, e cila zbut tiparet e fytyrës dhe sjell një frymë autentike pranverore. /Telegrafi/