Policia e Kosovës ka njoftuar për realizimin me sukses të dy ekstradimeve të personave të kërkuar ndërkombëtarisht, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit.
Sipas njoftimit, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka kryer ekstradimin e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër-arrest të INTERPOL-it.
Më 7 prill 2026, nga Gjermania në Kosovë është ekstraduar shtetasi kosovar me inicialet I.A., i cili kërkohej nga organet e drejtësisë në vend.
Ndërkaq, më 8 prill 2026, është realizuar edhe ekstradimi i një shtetasi tjetër kosovar me inicialet N.C., nga Kosova për në Shqipëri, pasi i njëjti ishte në kërkim nga autoritetet e drejtësisë shqiptare.
Sipas Policisë, i dyshuari është dorëzuar tek autoritetet policore të Shqipërisë në pikën kufitare në Vërmicë.
Policia e Kosovës thekson se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet kyç në luftimin e krimit dhe në sigurimin e zbatimit të ligjit. /Telegrafi/