Ekipi i misionit Artemis II regjistroi një moment historik gjatë rrotullimit rreth Hënës, duke kapur një fotografi spektakolare të “Earthrise” – daljes së Tokës mbi horizontin e Hënës – ndërsa gjendeshin në anën e largët të saj, pjesë që nuk shihet kurrë nga planeti ynë. Fotografia e parë e këtij lloji u realizua në vitin 1968.
Ky imazh ka një kuptim të veçantë simbolik, pasi rikthen në mendje fotografinë e famshme “Earthrise”, e cila u kap për herë të parë nga astronauti William Anders gjatë misionit Apollo 8.
Atëherë u përdor një aparat fotografik analog me teleobjektiv prej rreth 250 mm, dhe fotografia u bë përmes dritares së modulit komandues, në momentin kur Toka “shkëlqeu” mbi peizazhin gri të Hënës.
Më shumë se pesëdhjetë vjet më vonë, ekuipazhi i Artemis II ripërsëriti këtë pamje, por me teknologji moderne. Astronautët përdorën aparate profesionale Nikon Z9 dhe Nikon D5, të përshtatura për kushtet e hapësirës, me lente që shtrihen nga 85 deri në 400 mm, për të realizuar fotografi dhe video me rezolucion të lartë përmes dritareve të kapsulës Orion.
Fotografimi u krye pikërisht në momentin kur kapsula Orion doli nga zona ku Hëna bllokonte pamjen drejt Tokës, duke mundësuar një kornizë unike të planetit tonë që “ngjitet” mbi sipërfaqen kratere të anës së largët të Hënës.
Ky imazh nuk është vetëm një spektakël vizual, por edhe një hap i madh teknologjik dhe shkencor. Misioni Artemis II synon studimin më të detajuar të orbitës hënore dhe përgatitjen për ulje të ardhshme, si dhe mbledhjen e të dhënave vizuale për pjesën e Hënës që ka qenë dekada të tëra jashtë shikimit të drejtpërdrejtë nga Toka.
Fotografia “Earthrise” e këtij misioni konsiderohet tashmë një nga momentet kyçe të eksplorimeve moderne hapësinore, simbol i rikthimit të njerëzimit në hapësirën e thellë. /Telegrafi/