Pas rezultateve të fundit në La Liga, gara për titull ka marrë një kthesë të fortë në favor të FC Barcelona.
Humbja e Real Madrid si mysafir ndaj Mallorcas me rezultat 2-1, e kombinuar me fitoren e Barcelonës me të njëjtin rezultat ndaj Atlético Madrid, ka bërë që katalanasit të krijojnë një epërsi prej shtatë pikësh në krye të tabelës.
Me vetëm tetë xhiro të mbetura deri në fund të sezonit, Barcelona tashmë ndodhet në një pozitë shumë të favorshme për të siguruar titullin. Diferenca e krijuar ndaj rivalit të përjetshëm e bën gjithnjë e më realist skenarin që festa e titullit të ndodhë pikërisht në përballjen direkte.
El Clasico i radhës, që zhvillohet në javën e 35-të në Camp Nou, mund të jetë vendimtar. Nëse Barcelona arrin ta ruajë këtë avantazh deri atëherë, një fitore ndaj Real Madridit në shtëpi do t’i siguronte matematikisht titullin kampion – një skenar ideal për tifozët katalanas dhe një goditje e rëndë për madrilenët.
Madje, ekziston mundësia që gara të mbyllet edhe më herët. Në rast se Real Madridi humb sërish pikë në ndeshjet e ardhshme, “El Clásico” mund të shndërrohet vetëm në një formalitet dhe një festë simbolike për Barcelonën, pikërisht përballë rivalit më të madh.
Sipas analizave dhe reagimeve të tifozëve, duket qartë se Real Madridi tashmë ka zhvendosur fokusin drejt Ligës së Kampionëve. Eliminimi i hershëm nga Kupa e Mbretit dhe disavantazhi i madh në kampionat e bëjnë këtë kompeticion shansin e vetëm real për trofe këtë sezon.
Për më tepër, një përballje e vështirë ndaj Bayern Munich në çerekfinale kërkon përqendrim maksimal. /Telegrafi/