Një shoqatë islamike shqiptare ka nisur planifikimet për ndërtimin e një xhamie të madhe në qytetin e St. Gallen, një projekt që pritet të kushtojë deri në 15 milionë franga zvicerane.
Në fund të qershorit 2025, rreth 30 shqiptarë u mblodhën në Fürstenlandstrasse për të diskutuar planet e ndërtimit dhe procesin e lejeve.
Pas takimit, ata postuan në Facebook: “Allahu na ndihmoftë që ndërtimi i xhamisë sonë të re të jetë sa më i lehtë.” Nismëtarët ende nuk kanë bërë kërkesë zyrtare për ndërtim dhe nuk kanë dhënë detaje shtesë për projektin.
Planet vizualizojnë një ndërtesë prej 1000 metrash katrorë me kupolë qelqi, e projektuar nga arkitekti shqiptar nga Schlieren, Cyrih, i cili ka dizajnuar edhe xhaminë shqiptare në Winterthur-Töss.
Salla e lutjeve do të ofrojë hapësirë për qindra besimtarë dhe do të përfshijë gjithashtu hapësira tregtare dhe një kafene të hapur edhe për jo-muslimanët, raporton Blick.
Shoqata pritet të financojë projektin kryesisht përmes donacioneve.
Një aktivitet në Gossau në shkurt 2025 mblodhi mbi tre milionë franga, ndërsa një donacion i madh thuhet se erdhi nga ish-presidenti i Bashkësisë Islame të Boshnjakëve në Zvicër, që dhuroi 50,000 franga.
Xhamia e re do të drejtohet nga Bashkësia Islame El-Hidaje, e cila menaxhon prej dekadash një xhami të vogël në periferi të St. Gallen.
Imami Mehas Alija, që udhëheq xhaminë ekzistuese prej 15 vitesh, ka theksuar më parë se radikalizmi dhe ekstremizmi nuk kanë vend midis shqiptarëve.
Ai ka deklaruar gjithashtu se vendimi i grave myslimane për të mbajtur shami është zgjedhje personale dhe se kjo nuk duhet parë si detyrim.
Xhamia El-Hidaje ka qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare në vitin 2014, kur një burrë shqiptar vrau një bashkëkombës të tij brenda xhamisë për shkak të një mosmarrëveshjeje që dyshohet të ketë qenë motivuar nga “nderi”.
Projekti i ri synon të sjellë një hapësirë moderne dhe të përbashkët për komunitetin shqiptar në St. Gallen, duke respektuar traditën islame dhe duke ofruar hapësira edhe për pjesëtarë të komuniteteve të tjera./Telegrafi.