Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi sot Vitinë një ditë pas përfundimit të mandatit të saj, për të nderuar 27-vjetorin e rënies për liri të heroit Mirali Sejdiu.
Osmani mori pjesë në ceremoninë e përkujtimit së bashku me familjen e heroit, bashkëluftëtarët e tij, kryetarin e komunës Sokol Haliti, qytetarë të Vitisë dhe bashkatdhetarë nga diaspora.
Në këtë rast, shtatorja e Mirali Sejdiut u përjetësua në bronz, duke simbolizuar sakrificën e tij dhe përpjekjet e vazhdueshme për liri dhe shtet.
Në fjalimin e saj, Osmani e përshkroi Sejdiun si më shumë se një luftëtar, një djalë që u rrit me dashuri për atdheun dhe iu përgjigj kushtrimit për liri në momentet vendimtare. Ajo theksoi se liria që gëzojnë qytetarët është amanet që duhet ruajtur dhe forcuar çdo ditë.
Ceremonia përfundoi me mesazhin e ish-presidentes: “Lavdi Heroit Mirali Sejdiu! Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të lirisë!”.