Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të dielën se beson se ka një “shans të mirë” për të arritur një marrëveshje me Iranin të hënën.
Dhe një gjë e tillë pritet të ndodhë përpara afatit të tij që Teherani të rihapë Ngushticën e Hormuzit ose të përballet me bombardime të rënda.
“Mendoj se ka një shans të mirë nesër, ata po negociojnë tani”, i tha presidenti një gazetari të Fox News, përcjell Telegrafi.
“Nëse ata nuk arrijnë një marrëveshje dhe shpejt, po mendoj ta hedh në erë gjithçka dhe të marr naftën”, shtoi ai.
Më herët të dielën, Trump tha në një postim në rrjetet sociale me fjalë të ashpra se SHBA-të do të synojnë termocentralet dhe urat e Iranit të martën nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet.
“E marta do të jetë Dita e Termocentraleve dhe Dita e Urës, të gjitha të mbështjella në një, në Iran. Nuk do të ketë asgjë të ngjashme!!!”, ka thënë Trump në një postim në Truth Social, duke iu referuar korridorit kryesor të transportit detar që Teherani e ka mbyllur në mënyrë efektive që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më shumë se një muaj më parë.
“Hapni Ngushticën e Mallkuar, ju bastardë të çmendur, ose do të jetoni në ferr – VETËM SHIKONI!”, tha Trump.
Presidenti tha veçmas se do të mbante një konferencë për shtyp të hënën në Zyrën Ovale, pasi ushtria amerikane shpëtoi dy pilotë amerikanë, avionët e të cilëve u rrëzuan në Iran. /Telegrafi/