Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nën udhëheqjen e avokatit Luka Mishetiq në përmbledhjen përfundimtare të gjykimit në Dhomat e Specializuara ka kërkuar shpalljen e pafajshëm të Thaçit dhe lirimin e menjëhershëm të tij, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë akuzat.
Dokumenti i publikuar përmban analizën e detajuar të rolit të Thaçit brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe strukturave të saj politike, duke mohuar çdo “kontribut të rëndësishëm” në krimet e pretenduara.
Në dokumentin përfundimtar të dosjes së dorëzuar më 19 janar 2026, mbrojtja thekson se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për përgjegjësi individuale të Thaçit.
“Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se z. Thaçi është përgjegjës penalisht për ndonjë nga krimet e akuzuara,” thuhet në dokumentin e mbrojtjes.
Sipas mbrojtjes, “Qëllimi i UÇK-së dhe i Thaçit ishte çlirimi i Kosovës, jo marrja e pushtetit për UÇK-në,” dhe theksohet se nuk ka prova të drejtpërdrejta që të mbështesin ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
Dokumenti gjithashtu argumenton se Thaçi nuk kishte kontroll efektiv mbi veprimet e anëtarëve të UÇK-së, duke shtuar: “Roli i Thaçit si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nuk e jepte kontrollin efektiv mbi individët e akuzuar”, thekson mbrojtja.
Po ashtu, në dosje argumentohet se shumë nga provat janë indirekte dhe nuk lidhin drejtpërdrejt Thaçin me veprat penale të përshkruara në aktakuzë.
“Nuk ka prova të besueshme që lidhin z. Thaçi me kryerjen e krimeve të pretenduara”, thuhet më tej.
Mbrojtja ka kundërshtuar edhe pretendimet për ndërmarrje të përbashkët kriminale, duke theksuar se situata në terren gjatë luftës ishte komplekse dhe komandantët lokalë vepronin në mënyrë të pavarur.
Ekipi mbrojtës i Thaçit argumenton se “dënimi maksimal i mundshëm është 15 vjet”.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të lidhura nga Kushtetuta. Neni 33(2) i Kushtetutës përcakton: “Asnjë dënim për një vepër penale nuk duhet të tejkalojë dënimin e paraparë me ligj në kohën kur është kryer vepra penale.” Neni 33(4) përcakton: “Dënimet shqiptohen në përputhje me ligjin në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale, përveç nëse dënimet në një ligj të mëvonshëm të zbatueshëm janë më të favorshme për kryerësin.” Është e panevojshme të thuhet se, në rast të ndonjë konflikti ndërmjet Ligjit dhe Kushtetutës, Kushtetuta mbizotëron. Rrjedhimisht, ky Trup Gjykues duhet të përcaktojë dënimin maksimal që ishte i paraparë me ligj në vitet 1998 dhe 1999”, thuhet në dosjen përfundimtare gjyqësore të dorëzuar nga mbrojtja e Thaçit.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së ndodhet në fazën përfundimtare, ndërsa vendimi pritet pas përfundimit të argumenteve të palëve. /Telegrafi/