Prifti me prejardhje nga Spaçi i Mirditës në Shqipëri, Dom Kelmend Spaqi, famullitar në Kishën e “Shna Ndout” në Gllogjan ka ndërruar jetë të enjten.
Dom Kelmend Spaqi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, kishte strehuar me qindra shqiptarë myslimanë në kishën e Shna Ndout.
Lidhur me jetën dhe veprimtarin e tij ka folur edhe gazetari Blendi Feziu.
Ai e përshkruan Dom Kelmendin si një njeri me vlera të jashtëzakonshme.
“Gjatë 64 viteve jetë ai ishte përkushtuar me devocion besimit katolik dhe Zotit, ai u bë dëshmitar dhe protagonist i një ngjarje tejet të rëndësishme për të mos thënë të jashtëzakonshme të historisë së shqiptarëve”, thotë Feziu.
Feziu shton se Dom Kelmend Spaqi në këtë ngjarje ai nuk ishte thjeshtë një dëshmitarë, por një protagonist madje në nivele me kurajo të jashtëzakonshme.
“Me origjinë nga Spaçi i Mirditës që kishte jetuar gjithë jetën tij në Kosovë, ishte prift i kishës katolike të Gllogjanit në zonën e Pejës në vitin 1999. Historia e tij është e jashtëzakonshme”, tha Feziu.
Feziu shtoi se më 4 prill 1999 dhjetë ditë pasi kishin nisur bombardimet e NATO-s në Kosovë, serbët morën 12 burra të fshatit i rreshtuan dhe vendosën ti pushkatonin.
“Prifti Dom Kelmend Spaqi u vendos mes tyre dhe ushtarëve dhe deklaroi se nëse Serbët do të pushkatonin ata burra, le të qëllonin të parin mbi të. Për çudi serbët u tërhiqen nuk donin të vrisnin një prift katolik, e aq më shumë të kishin dëshmitarë një prift të një masakre të këtyre përmasave”, rrëfen Feziu.
Prifti katolik u dha strehë qindra shqiptarëve myslimanë, teksa paramilitarët serbë po afroheshin. Duke i ruajtur ata brenda kishës së tij, Ati Kelmend Spaqi refuzoi t’i lejonte serbët të hynin te ta, duke thënë se të gjithë kanë një Zot.
“Nuk ka këtu as katolikë as myslimanë, ka njerëz të pafajshëm. Bëni çka të doni, kjo është nga unë. Pushkatomni më së pari mu, e krejt stafin këtu, atëherë mundeni me i prek këta”, citon Feziu deklaratat e Dom Kelmend Spaqit.
Pos kësaj, Prifti Dom Kelmend Spaqi, në kohën e luftës, meqë nuk kishte xhami afër fshatit Gllogjan, ai bashkë me udhëheqësit tjerë të kishës, vendosën ta lajmërojnë iftarin dhe syfyrin me anë të kambanave të kishës. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com