Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka konfirmuar rikthimin nga lëndimi të Jules Kounde dhe Alejandro Balde, pas më shumë se një muaji jashtë fushave.
Megjithatë, mungesa e Raphinha, përballë asaj që Flick e përshkroi si “një nga skuadrat më të mira në Evropë”, e ka zbehur disi rikthimin nga pauza e kombëtareve për skuadrën katalanase.
Koundes dhe Baldes do t’i bashkohet edhe Eric Garcia, i cili gjithashtu ka munguar në disa ndeshje së fundmi për shkak të lëndimit. Kjo i jep Flick më shumë alternativa në repartin defensiv, por mesfushori holandez Frenkie De Jong ende nuk është kthyer në stërvitje me pjesën tjetër të ekipit.
“Lajmi i mirë është se kemi Kounde, Balde dhe Eric mbrapa. Sa i përket Frenkie, ai do të mund të nisë stërvitjet me grupin javën e ardhshme. Por një hap pas tjetrit. Duhet të presim”, u shpreh Flick.
Rekordi i Barcelonës këtë sezon është dukshëm më i dobët pa Raphinha në skuadër, ndërsa braziliani ka qenë shpesh brenda dhe jashtë formacionit për shkak të disa lëndimeve. Ai pritet të kthehet në Barcelonë të dielën, pasi i është dhënë kohë pushimi në Brazil përpara se të nisë fazën e rikuperimit.
“Nuk ka fajtorë. Është një lëndim dhe kjo është pjesë e futbollit; duhet ta pranojmë. Nuk ka ardhur në momentin më të mirë, gjë që na mërzit, dhe tani duhet të shohim si do ta menaxhojmë situatën, kemi shumë lojtarë”.
“Këto gjëra ndodhin. Ai shkoi në Brazil. Normalisht duam që lojtarët të jenë këtu kur janë të lënduar. Po flisnim në FaceTime dhe ai ishte shumë i mërzitur, ndaj për ta ndihmuar të relaksohet dhe të qartësojë mendjen, vendosëm së bashku me Deco që ai të kalojë disa ditë pushimi në Brazil me familjen”, përfundoi gjermani.
Ndeshja mes Atletico Madridit dhe Barcelonës do të luhet të shtunën me fillim nga ora 21:00./Telegrafi/