Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër E.R., dhe H.K., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit dhe F.H., i cili gjendet në arrati, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Sipas aktakuzës, më datë 11.08.2025, rreth orës 21:21min, Prizren, në një objekt prapa një qendre tregtare, të pandehurit F.H., dhe E.R., duke vepruar në bashkëkryerje dhe pa autorizim, kanë transportuar dhe shpërndarë substancë narkotike të llojit kokainë në sasi prej 3.3 kilogramësh. Të njëjtit, pas komunikimit paraprak me të pandehurin H.K., lidhur me vendin e takimit, kanë arritur në lokacion me automjet dhe kanë realizuar dorëzimin e narkotikëve, duke pranuar në këmbim një automjet të tipit “VW Golf VIII”. Pas dorëzimit të narkotikëve, i pandehuri F.H., largohet me automjetin e tij “VW Arteon” me targa belge, ndërsa e pandehura E.R., e drejton automjetin e marrë në këmbim, duke e parkuar atë para banesës së saj në Prishtinë, ku i njëjti është sekuestruar nga policia”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se ndërsa, automjeti i F.H., u ndalua me datë 16.08.2025 nga Policia në pikën kufitare “Hani i Elezit”, ku brenda tij u gjet edhe e pandehura E.R., si pasagjere.
“Ndërkaq, H.K., pa autorizim posedon substanca të llojit kokainë për shpërndarje dhe shitje. Gjatë bastisjes në banesën e tij në Prizren, u sekuestruan substanca narkotike me peshë totale prej 4.436 kg kokainë të destinuara për shitje, si dhe mjete dhe pajisje për paketim, qese, role foli, peshore digjitale, kartela dhe para të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/