Ministri i Financave, Hekuran Murati u ka replikuar deputetëve të opozitës, të cilët kanë kritikuar qeverinë për mos veprim pas rritjes së çmimit të naftës.
Fillimisht, ai tha se rritja ekonomike vitin e kaluar ka qenë 3.6 për qind, për çka kreu i PDK-së, Bedri Hamza tha më herët se është e ulëta viteve të fundit.
Murati u përgjigj duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak të “mos funksionimit të plotë të institucioneve”.
“Sa i përket raportit të FMN-së, zotëri Hamza, po e vërtetë që vitin e kaluar është përllogaritur të jetë 3.6 për qind, por kjo edhe sipas raportit konfirmuar, është për shkak të mosfunksionimit të plotë të institucioneve. Siç e dini, pra vitin e kaluar, gjatë gjithë vitit, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka qenë në funksion efektiv dhe ka pamundësuar shumë prej reformave, e madje edhe miratimin e shumë prej marrëveshjeve ndërkombëtare që do t’i jepnin impuls shtesë ekonomisë së vendit. Sa për krahasim, në vitin 2018 kur ju keni qenë ministër i Financave pa asnjë krizë, me parlament funksional, me qeveri funksionale rritja ekonomike ka qenë veç 3.4%. Pra, më e ulët sesa ne që e kemi pasur kur ka pasur kuvend jofunksional”, deklaroi ai.
Në seancë të jashtëzakonshme, Murati tha se është e pavërtetë që nuk janë rritur pagat.
“Sa i përket pagave, u tha që nuk janë rritur. E pavërtetë gjithashtu. Pra, në sektorin publik pagat janë rritur 45%, duke mos llogaritur këtu edhe pagën e 13-të që sapo është dhënë. Ndërkaq paga minimale, nga niveli 170 euro që e kemi gjetur, aktualisht është 425 euro dhe në korrik të këtij viti bëhet 500 euro. Pra, trefishim gati i pagës minimale në sektorin privat“, tha Murati.
Gjatë debatit parlamentar, ai i ka replikuar edhe shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ashtu siç kanë bërë shtetet tjera.
“Sa i përket zotëri Tahirit, thatë që shtetet tjera kanë marrë masa, e vërtetë se i kanë pasur taksat shumë më të larta. Ne si qeveri nuk kemi ndryshuar as akcizën, as TVSh-në, pra nuk i kemi rritur”, deklaroi ai, raporton kp.
Në organin më të lartë legjislativ po vazhdon debati parlamentar për rritjen e çmimit të naftës, ku LDK paraprakisht ka prezantuar rezolutën ku qeverisë i kërkohet që të ndërmarrë masa të menjëhershme.