Kryeprokurori Nenad Saveski shprehu keqardhje në një deklaratë me shkrim për vendimin e prokurores Lençe Ristoska për të dhënë dorëheqjen nga posti i prokurorit publik.
Ai pohon se vendimi i tij për të revokuar të gjitha autorizimet nuk është personal dhe i drejtohet punës së Ristoskës.
“U informova personalisht për këtë akt nga ajo nëpërmjet SMS-it pas paraqitjes së dorëheqjes së saj, dhe arsyet e kësaj i mësova nga mediat. Megjithatë, ajo që dua të theksoj është se Prokuroria Publike mbetet pa një prokurore publike nga e cila prisja që me shumë vite përvojë të vlefshme të kontribuonte në forcimin e kapaciteteve të këtij institucioni, veçanërisht me pozicionin e saj si prokurore për ndërlidhje me Eurojust. Vendimi për të revokuar të gjitha autorizimet e dhëna nga paraardhësit e mi nuk është personal dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohet ndaj punës së Prokurores Ristoska.
Ky vendim është i natyrës organizative dhe qëllimi i tij është të rrisë funksionimin efikas të Prokurorisë Publike. Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje të gjithë prokurorëve publikë së bashku dhe individualisht, që të mos lejojnë asgjë të ndikojë në integritetin tonë profesional dhe punën e përditshme. Në të njëjtën kohë, u bëj thirrje të gjitha subjekteve me ndikim shoqëror të krijojnë një atmosferë në të cilën reputacioni i prokurorisë nuk do të rrezikohet, sepse kjo është në interes jo vetëm të prokurorisë publike, por edhe të të gjithë qytetarëve që ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre individuale, ndër të tjera, përmes punës së këtij institucioni”, thuhet në deklaratën me shkrim të Saveskit.
Ai siguron se të gjitha vendimet që ka marrë dhe do të marrë kanë për qëllim garantimin e pavarësisë dhe autonomisë në punën e Prokurorisë Publike./Telegrafi/