Azemi: Nga Martin Berishaj te Vuk Hamoviq – energjia me skandalet më të mëdha të qeverisë
Sektori i energjisë në Kosovë vazhdon të jetë në qendër të kritikave politike, me akuza për keqmenaxhim, varësi nga importi dhe ndikim të akterëve të jashtëm në treg.
Visar Azemi nga LDK ka folur në “Përballje Podcast” në Telegrafi për situatën energjetike në vend, për çështjen e njehsorëve dhe se çka po ndodh në këtë sektor.
Azemi nga LDK ka deklaruar se pikërisht në këtë sektor janë shënuar skandalet më të mëdha gjatë mandatit të qeverisë aktuale, duke përmendur edhe rolin e tregtarit të energjisë, Vuk Hamoviq.
– YouTube youtu.be
Azemi ka theksuar se, sipas tij, Kosova është lënë e varur nga importi i energjisë, ndërsa tregu është dominuar nga operatorë të caktuar.
“Krejt skandalet e mëdha të kësaj qeverie kanë ndodh në sektorin e energjisë. Ia keni dorëzu Kosovën Vuk Hamoviqit për me ta kontrollu tregun energjetik në vend. Paratë kanë shku në import, nuk kanë shku në prodhim”, ka deklaruar ai shkruan Telegrafi.
Ai shton se vetëm gjatë një viti janë shpenzuar qindra miliona euro për import të energjisë.
“Dyqind e pesëdhjetë deri në shtatëdhjetë milionë euro janë shpenzuar për import të energjisë”, thotë ai.
Azemi vlerëson se mungesa e investimeve në kapacitete të reja prodhuese ka përkeqësuar situatën dhe e ka lënë vendin të ekspozuar ndaj krizave.
“Pa ndërtu kapacitetet tua gjeneruese, ti nuk mundesh me drejtu sektorin e energjisë. Në vend të zhvillimit të prodhimit vendor, qeveria ka vazhduar me politika që favorizojnë importin”, u shpreh ai.
Në fund, Azemi paralajmëron se situata aktuale nuk është vetëm ekonomike, por edhe strategjike për vendin.
“Nëse nuk e rrit prodhimin vendor, Kosova rrezikon edhe sigurinë nacionale”
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur çështja e energjisë, çmimet dhe furnizimi mbeten ndër temat kryesore të debatit publik, ndërsa kërkesat për ndryshim të politikave dhe rritje të prodhimit vendor po intensifikohen./Telegrafi/.