Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë, duke bërë të ditur se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me SHBA-në, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.
Sipas njoftimit të ambasadës, kërcënimet mund të përfshijnë edhe vendet publike, përfshirë zona turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë vigjilencë të shtuar dhe të ndjekin zhvillimet përmes mediave lokale.
Në njoftim, qytetarët këshillohen të qëndrojnë të vëmendshëm në çdo moment, të jenë të vetëdijshëm për rrethinën ku ndodhen, të rishikojnë planet personale të sigurisë dhe të mbajnë telefonin të karikuar për raste emergjente.
Paralajmërimi i ambasadës vjen pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi tërheqjen e mundshme nga Irani në rast të hapjes së Ngushticës së Hormuzit, duke shtuar tensionet në rajon dhe duke rritur nevojën për kujdes për qytetarët dhe subjektet amerikane jashtë vendit./Telegrafi.