Erman Toroglu, ish-lojtar turk i futbollit, dhe ish gjyqtar i FIFA-s , aktualisht komentator dhe kolumnist sportiv, ka kritikuar ashpër yllin e kombëtares turke, Kerem Akturkoglu, në mes të ndeshjes Kosovë – Turqi.
Sipas Toroglu, sulmuesi turk nuk duhej të prekë me dorë Kreshnik Hajrizin, pasi e goditi edhe me këmbë, gjest që shkaktoi irritim te ekipi i Kosovës dhe tifozët e saj.
“Edhe ashtu po luajmë me 10 veta, sepse Kerem nuk po luan lojën që duhet. Po shohim një ndeshje të mirë, të dy palët tregojnë respekt për njëri-tjetrin, dhe ai shkon dhe e godet kundërshtarin me këmbë, pastaj i thotë ‘qohu’,” deklaroi fillimisht Toroglu.
Ai shtoi se gjesti i Akturkoglu motivoi kundërshtarët dhe tifozët e Kosovës dhe se nuk duhet të ndodhte.
“E gjithë skuadra e Kosovës u drejtua drejt nesh me arsye, po ashtu edhe tifozët. Duhet të ketë kujdes, sepse ai vesh fanellën e kombëtares, jo të klubit të tij”, deklaroi Toroglu, duke ia kujtuar edhe rrahjet që ka përjetuar sulmuesi turk në të shkuarën nga bashkëlojtarët e tij.
Në pjesën e dytë të ndeshjes, një devijim i Akturkoglu përfundoi në gol, duke vendosur rezultatin përfundimtar të takimit.
Me këtë fitore, Turqia siguroi kualifikimin për në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 2002, me një ekip që mbart disa nga yjet më të shquar të futbollit turk. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com