Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka nënshkruar kontratën për realizimin e projektit “Trajtimi i ujërave shkarkuese nga Termocentrali Kosova B”, një investim që synon përmirësimin e ndjeshëm të standardeve mjedisore në vend.
Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në ambientet e termocentralit “Kosova B”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Të pranishëm ishin ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, përfaqësues të Bashkimit Evropian, drejtues të KEK-ut dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Projekti, me vlerë rreth 12 milionë euro, parashikon ndërtimin e pesë impianteve të avancuara për trajtimin e ujërave shkarkuese, të cilat do të përfshijnë trajtimin e ujërave industriale, atyre të kontaminuara me vajra, si dhe ujërave atmosferike dhe sanitare.
Sipas prezantimit të bërë nga përfaqësuesit e projektit, investimi pritet të sjellë reduktim mbi 90 për qind të ndotësve kryesorë në ujërat shkarkuese, eliminim pothuajse të plotë të vajrave dhe hidrokarbureve, si dhe ulje të ndjeshme të metaleve të rënda. Po ashtu, projekti synon përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian dhe përmirësim të cilësisë së ujit në lumin Sitnica.
Për herë të parë, të gjitha ujërat shkarkuese nga “Kosova B” do të trajtohen në mënyrë të kontrolluar dhe të standardizuar, duke përdorur teknologji të avancuara sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.
Ky investim është pjesë e planit më të gjerë të KEK-ut për modernizim dhe transformim. Sipas zyrtarëve të korporatës, gjatë periudhës 2025–2027 janë planifikuar projekte që tejkalojnë vlerën prej 500 milionë euro, të fokusuara në përmirësimin e kapaciteteve ekzistuese, teknologjitë mjedisore dhe zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Zyrtarët e KEK-ut e kanë cilësuar këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt shndërrimit të korporatës në një operator modern dhe të qëndrueshëm, në përputhje me standardet evropiane, me ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin publik.