Një i mitur 11 vjeçar dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një person madhor në afërsi të një shkolle në Deçan.
Sipas një shënimi zyrtar të siguruar nga Telegrafi, rasti ka ndodhur të martën rreth orës 10:00 gjatë orëve të paradites, ku i mituri R.A nga fshati Drenoc fillimisht është përballur me të dyshuarin gjatë rrugës për në shkollë.
Ai ka rrëfyer në stacionin policor se me të arritur në afërsi të oborrit të shkollës, i dyshuari Fidan Hadërgjonaj kishte ndaluar me një veturë të tipit “Range Rover”, babi i A.H i cili gjithashtu është nxënës i të njëjtës shkollë, ku i dyshuari thuhet se e ka goditur të miturin R.A me shuplaka dhe grusht e pastaj e kishte futur në veturë ku e kishte dërguar më pas në hyrje të shkollës.
“Me të arrit në hyrje të shkollës nga vetura Fidan Hadërgjonaj e kishte goditur edhe njëherë me shuplak në fytyrë dhe pastaj duke e tërheqë për xhaketë e kishte futur në korridorin e shkollës dhe aty më pas kishte dalë arsimtari i matematikës dhe kishte ndërhyrë”, thuhet në dokumentin që ka siguruar Telegrafi.
E gjithë ngjarja sipas viktimës thuhet se ka ardhur si rrjedhojë e një fjalosje dy muaj më parë me A.H të birin e të dyshuarit Fidan Hadërgjonaj.
Familjarët e të miturit kanë raportuar rastin në polici, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor.
Në raport theksohet se “fëmija kishte pranuar trajtim mjekësor në QKMF – Deçan”
Lidhur me rastin, policia ka identifikuar të dyshuarin Fidan Hadergjonaj, i cili sipas dokumenteve personale zyrtarisht emrin e ka Binak Hadërgjonaj është intervistuar si i dyshuar në prezencë të avokatit të autorizuar.
Me vendim të prokurorit të shtetit, “i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Policia ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/