Instituti GAP ka publikuar analizën me titull “A ndikoi rritja e pagave në përmirësimin e dinamikës së punës të Kuvendeve Komunale?”, ku konstatohet se rritja e kompensimit financiar për asamblistët nuk është shoqëruar me përmirësim të dukshëm të performancës së tyre.
Sipas analizës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, i zbatuar nga viti 2023, ka sjellë rritje të konsiderueshme të pagave për asamblistët komunalë.
Para këtij ligji, kompensimi ishte 150 euro pagë bazë dhe 50 euro për çdo seancë, ndërsa pas hyrjes në fuqi, paga në kryeqytet arrin rreth 660 euro, ndërsa në komunat tjera varion nga 583 deri në 650 euro.
“Pritshmëria se rritja e pagave do të ndikojë në rritje të motivimit është e arsyeshme, pasi kompensimi financiar konsiderohet një nga faktorët më të rëndësishëm që mund të ndikojë në cilësinë dhe nivelin e përpjekjeve”, thuhet në analizë.
Megjithatë, gjetjet e Institutit GAP tregojnë se kjo rritje nuk ka prodhuar efektet e pritshme në punën e kuvendeve komunale.
“Gjetjet sugjerojnë se kjo rritje e pagave nuk është shoqëruar me rritje të dinamikës së punës në kuvendet komunale”, theksohet në raport.
Sipas të dhënave, numri i mbledhjeve në shtatë komuna ka shënuar rritje të lehtë në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, por ka rënë sërish në vitin 2024, duke mbetur në nivele të ngjashme me periudhën para rritjes së pagave.
Po ashtu, edhe kohëzgjatja e mbledhjeve ka pësuar rënie, ndërsa produktiviteti normativ ka shënuar trend negativ. Në vitin 2022 janë miratuar 26 rregullore dhe 540 vendime, ndërsa në vitin 2024 vetëm 10 rregullore dhe 442 vendime.
“Produktiviteti normativ nuk dëshmon rritje pas rritjes së pagave, përkundrazi shfaqet rënie”, thuhet më tej në analizë.
Nga Instituti GAP theksohet se këta indikatorë janë kryesisht sasiorë dhe nuk matin drejtpërdrejt cilësinë e debatit apo ndikimin e vendimeve, por ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi ritmin dhe intensitetin e punës së kuvendeve komunale në raport me ndryshimet në kompensim financiar. /Telegrafi/