Sot bëhet një javë që kur Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim për çështjen e presidentit, duke vendosur një afat të qartë për përfundimin e këtij procesi, megjithatë skena politike në vend vazhdon të mbetet pa rezultate konkrete.
Vendimi i Kushtetueses i ka dhënë Kuvendit një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit, por deri më tani nuk ka shenja të një marrëveshjeje politike mes partive.
Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se do të ftojë partitë opozitare në takim, me synimin për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, këto takime ende nuk kanë ndodhur.
“Do të vazhdoj me ftesa për partitë politike,” ka deklaruar Kurti, duke lënë të kuptohet se dialogu mbetet rruga e vetme për zgjidhje.
Nga ana tjetër, përfaqësues të partive opozitare kanë shprehur skepticizëm për këtë proces, duke theksuar se mungon vullneti politik për kompromis dhe duke mos përjashtuar mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se do të flasin pasi të pranojnë ftesën.
“Kosova është pa institucione të konsoliduara dhe pa president, jo për shkak të mungesës së ditëve dhe afateve kohore, por për shkak të mungesës së vullnetit politik të Lëvizjes Vetëvendosjes. Nuk kemi pranuar asnjë kërkesë, por do ta shohim edhe formën edhe përmbajtjen e pastaj do të flasim”, ka thënë deputetja nga PDK-ja, Vlora Çitaku ditë më parë.
Ndërkohë, nga LDK është theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi partinë në pushtet.
“Nëse vullneti i tyre është që të ketë një zgjidhje, do të kemi. Nëse jo, Kosovës i mbetet të shkojë drejt zgjedhjeve,” ka deklaruar Jehona Lushaku.
Ndërkaq, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se çështja e presidentit është përgjegjësi e Kurtit.
Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se situata aktuale po karakterizohet nga mungesa e seriozitetit dhe e gatishmërisë për marrëveshje, duke paralajmëruar për thellim të krizës institucionale nëse nuk arrihet një zgjidhje brenda afatit.
Profesori i shkencave politike Dritëro Arifi, në një prononcim dhënë për Telegrafin një ditë më parë u shpreh se qasja aktuale e partive, në veçanti e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është serioze dhe mund të çojë në zvarritje të procesit.
Sipas tij, situata politike po perceptohet negativisht dhe mund të prodhojë pasoja të mëtejshme institucionale.
“Po vërehet se kjo qasje mund të na dërgoj edhe te një zvarritje përtej atij 45 ditëshit për shkak se presidentes i skadon mandati me 4 prill dhe mandej mund të sfidohet ky afat kushtetues që është dhënë që nëse deri më 28 prill nuk ka president duhet të shkohet në zgjedhje brenda 45 ditëve, por a do të ndodh kjo është pikëpyetje andaj thash kjo qasje nuk po më duket serioze derisa nuk ka seriozitet me kërku një emër konsensual derisa nuk janë votat për dy kandidatët e parë atëherë gjithçka po na dërgon të një skenar që vetëm z,Kurti e din të tjerët po qëndrojnë në pritje se çka do të ndodh tutje”, është shprehur Arifi.
Në anën tjetër, politologu Melazim Koci theksoi mungesën e komunikimit dhe gatishmërisë për kompromis ndërmjet partive politike.
“Një javë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentes Osmani, partitë politike nuk kanë bërë asnjë lëvizje në drejtim të komunikimit rreth zgjedhjes së Presidentit/es. Kjo nuk është shumë e habitshme, sepse klasa jonë politike tash 12 muaj na e ka dëshmuar se nuk është e gatshme për të biseduar dhe aq më pak të bëjë hapa në drejtim të një kompromisi”, tha Koci.
Ai theksoi se çështja e Presidentit/es nuk do të mund të tejkalohet nëse partitë politike vazhdojnë të insistojnë në emra partiak.
Koci theksoi se zgjedhjet e reja janë një nga mundësitë reale dhe nuk duhet përjashtuar.
“Duke njohur nivelin e papërgjegjësisë së klasës tonë politike, ato duken bukur reale. Kush do të përfitonte? Askush sepse rezultati do të sillet diku ndërmjet epilogut të zgjedhjeve të shkurtit dhe dhjetorit të vitit 2025. Por, do të kishim një humbëse të madhe – Kosovën. Zgjedhjet e treta parlamentare brenda 14 – 15 muajsh janë kompromituese për kredibilitetin e Kosovës në përmasa ndërkombëtare”, tha Koci për Telegrafin.
Gjykata Kushtetuese më 25 mars publikoi një aktgjykim për çështjen e presidentit, duke thënë se deputetët kishin 34 ditë kohë, përkatësisht deri më 28 prill, që të zgjidhnin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon automatikisht në zgjedhje.
Sipas Gjykatës Kushtetuese procedura për zgjedhjen e presidentit, që nuk mund të zgjasë më shumë se 60 dit, duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. /Telegrafi/