Ministri i Jashtëm i Iranit ka deklaruar se vendi nuk do të pranojë një armëpushim, por vetëm një përfundim të përhershëm të luftimeve në Lindjen e Mesme.
Duke folur për Al Jazeera, Abbas Araghchi shtoi se kishte një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi me të dërguarin special të presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff – por mesazhet e shkëmbyera me të nuk ishin “negociata”.
Witkoff është një nga zyrtarët që udhëheqin ekipin e Uashingtonit në bisedimet indirekte me Iranin, shkruan skynews.
Araghchi, një nga figurat më të larta iraniane që kanë mbetur në detyrë, shtoi se Teherani ende nuk i është përgjigjur propozimit me 15 pika për paqe të dërguar nga SHBA një javë më parë.
Ai gjithashtu tha se të gjitha shkëmbimet me Uashingtonin po bëhen përmes ministrisë së tij të jashtme.
Ndryshe, Trump ka deklaruar se bisedimet me atë që ai e quajti “regjim i ri” në Iran po përparojnë mirë.
Zyrtarët në Teheran i kanë cilësuar kërkesat e SHBA-së në planin e paqes si “të tepruara” dhe kanë kundërshtuar pretendimet e zyrtarëve amerikanë mbi ecurinë e bisedimeve. /Telegrafi/