Sot, Prishtina është gati të përjetojë një nga netët më të mëdha të futbollit dardan, teksa ndeshja historike Kosovë – Turqi pritet të mbledhë mijëra tifozë në zemër të kryeqytetit.
Në kuadër të Prishtina Football Fest, festa dhe atmosfera festive do të shtrihen në tri pika kryesore të Prishtinës: Sheshi “Zahir Pajaziti”, Sheshi “Skënderbeu” dhe Pallati i Rinisë.
Fan Zone kryesore në Sheshin “Zahir Pajaziti” nis nga ora 12:00, ku tifozët do të kenë mundësi të mblidhen, të festojnë dhe të përjetojnë atmosferën e madhe të ndeshjes që nga mesdita. Ndërkohë, në Sheshin “Skënderbeu” dhe në Pallatin e Rinisë, festa dhe transmetimi do të fillojnë nga ora 18:00.
Ky organizim realizohet nga KD Events & Communications, organizatore besnike e këtij përjetimi tash e 14 vite me radhë, duke sjellë për qytetarët transmetime publike dhe festa falas për ndeshjet më të mëdha të futbollit vendor dhe ndërkombëtar.
Sot, kjo traditë vazhdon me një tjetër natë historike, ku Dardanët janë gati të ëndërrojnë më shumë se kurrë dhe të hedhin një hap të madh drejt Botërorit 2026 në Amerikë.
Besa-Besë, Dardanët takohen sot në shesh. Prishtina feston, ndërsa historia shkruhet.