Vidhet trafoja në Sllatinë, ari e para në Prishtinë, fije metalike e bakër në Gjilan – disa raste të vjedhjeve të rënda në 24 orët e fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të vjedhjeve të rënda në disa qytete të Kosovës.
Në Sllatinë të Fushë Kosovës është raportuar vjedhje e trafos dhe naftës, në Prishtinë janë vjedhur para e stoli ari, në Gjilan janë vjedhur fije metalike e bakër.
Lexoni të plotë raportin policor për vjedhjet e rënda në disa qytete të Kosovës:
Rr. Malush Kosova, Prishtinë / 30.03.2026 – 16:00-19:00. Është raportuar se person/a të panjohur me përdorim force kanë depërtuar në banesën e viktimës mashkull kosovar ku dyshohet se kishin vjedhur para të gatshme dhe stoli ari. Lidhur me rastin njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin, për të cilin është njoftuar edhe prokurori.
Fsh. Sllatinë, Fushë Kosovë / 30.03.2026 – NN. Është raportuar se është vjedhur trafoja e energjisë elektrike që ka qenë e vendosur në shtyllë, po ashtu edhe nga rezervuari i kamionit dhe makineritë tjera mungon naftë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti është duke u hetuar.
Rr. Agim Ramadani, Prishtinë / 18-19.01.2026 – 00:00. Më 30.03.2026 pas hetimeve të zhvilluara është lokalizuar dhe arrestuar një mashkull kosovar si i dyshuar lidhur me vjedhjen e një sasie të konsiderueshme të arit nga lokali i viktimës kosovar. Nga i dyshuari është sekuestruar një veturë që dyshohet se është përfituar si pasojë e veprës penale. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rr. Enver Rexhepi, Gjilan / 29.03.2026 – 01:30. Është raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë përmes dritares në objektin e kompanisë së viktimës kosovar dhe prej aty kanë vjedhur fije metalike të bakrit. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime.
Ferizaj / 30.03.2026 – NN. Është raportuar se nga persona të panjohur janë vjedhur para nga një arkë. Përveç vjedhjes të dyshuarit po ashtu dyshohet se kanë dëmtuar dy dyer dhe kanë shkaktuar dëme. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime. /Telegrafi/