Kapiteni i Kombëtares së Turqisë, Hakan Çalhanoğlu, ka folur në konferencë për media para përballjes vendimtare ndaj Kombëtares së Kosovës, duke treguar respekt për kundërshtarin dhe duke vlerësuar cilësitë e skuadrës kosovare.
Mesfushori turk theksoi se Kosova ka disa lojtarë të rrezikshëm dhe një ekip të organizuar mirë, ndërsa zbuloi edhe një detaj interesant nga lidhja e tij me gjuhën shqipe.
“Kosova nuk ka vetëm një lojtar të rrezikshëm. Vedat Muriqi, Fisnik Asllani, Edon Zhegrova, janë lojtarë që luajnë mirë. Kosova ka ekip të mire”.
“Sigurisht di disa fjalë shqip, por nuk preferoj t’i them në konferencë”, ka deklaruar Çalhanoglu me shaka.
Ai u ndal edhe te qasja e Turqisë për këtë sfidë, duke theksuar se skuadra e tij nuk do të bëjë asnjë lëshim ndaj kundërshtarit.
“Ne nuk e nënçmojmë kurrë asnjë ekip. E kemi parë eliminimin e Interit nga Bodo/Glimti në Ligën e Kampionëve. Do ta japim më të mirën”, tha ai.
Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet të martën mbrëma në stadiumin Fadil Vokrri Stadium, në finalen e play-off-it për një vend në Kupa e Botës FIFA 2026.
Mbulueshmëria speciale e ngjarjes është mundësuar nga DFK Group, Daakonn Investments, Voom, Patos Kosova dhe 99esim.
/Telegrafi/