Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke kritikuar qasjen e mazhorancës.
“Nuk e kemi diskutu, është një procedurë standarde që ky formacion politik që po e udhëheq Kosovën e ka me i zgjat punët deri në fund, me ble ditë edhe në fund me ardh me bo një proces kinse po diskutojmë për një president unifikues”, tha Tahiri.
Ai shtoi se, sipas tij, situata po përsëritet dhe mungojnë veprimet konkrete nga shumica.
“Prapë po ndodh e njëjta, prapë është avazi i njëjtë. Krejt vajtojnë e bërtasin ‘kuku qysh me zgjedh presidentin’, asnjë veprim prej shumicës, asnjë zë nuk u dëgjohet”, u shpreh Tahiri.
Tahiri theksoi se AAK nuk do të pranojë diskutime joformale për një çështje kaq serioze.
“Absolut, çfarëdo formati që ka pas në të kaluarën, një me një me diskutu sikur me pi kafe për një temë kaq serioze, nuk do ta kemi…”, tha Tahiri.
Deputeti i AAK-së ia atribuoi përgjegjësinë për zgjedhjen e presidentit kryeministrit Albin Kurti.
“Është përgjegjësia e Kurtit me ia jep Kosovës një president, nuk ka kuptim me i qit edhe njëherë 1 milion qytetarë me votu prapë. Për me i pas 80 vota për presidentin duhesh me pas marrëveshje politike. Nuk ka dashtë…” përfundoi Tahiri.