Kosova vazhdon të përballet me sfida në ndërtimin e ‘sovranitetit’ dhe identitetit të saj digjital, për shkak të kufizimeve që burojnë nga mungesa e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, në “Përballje Podcast”, theksoi se një nga prioritetet kryesore të institucioneve është ndërtimi i identitetit digjital për qytetarët, si bazë për zhvillimin e shërbimeve moderne.
“Është shumë e rëndësishme që qytetarët ta kenë identitetin digjital – me pasë mundësi me nënshkru dokumente elektronikisht dhe me pasë një kuletë digjitale,” tha Jagxhiu shkruan Telegrafi.
Sipas tij, identiteti digjital do t’u mundësojë qytetarëve të kryejnë shërbime pa prezencë fizike, duke përfshirë nënshkrimin elektronik dhe përdorimin e dokumenteve në formë digjitale, duke reduktuar ndjeshëm burokracinë.
Megjithatë, paralelisht me këtë zhvillim, Kosova përballet me kufizime në arenën ndërkombëtare digjitale, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ‘sovranitetin’ digjital të vendit.
“Fakti që nuk jemi pjesë e Kombeve të Bashkuara i vendos kufizime për Kosovën si shtet, edhe në aspektin digjital,” deklaroi Jagxhiu.
– YouTube youtu.be
Ai shpjegoi se mungesa e Kosovës në listat standarde ndërkombëtare të shteteve krijon pengesa praktike për përfshirjen automatike në platformat globale.
“Për me pasë Kosovën në listë, shumë platforma duhet me e vendosë manualisht, për shkak se nuk vjen automatikisht nga listat standarde,” tha ai.
Kjo situatë reflektohet në mënyrën se si Kosova trajtohet në produkte dhe shërbime të ndryshme të kompanive të mëdha teknologjike, ku në disa raste vendi nuk është i përfshirë plotësisht.
“Platformat e mëdha mund ta kenë Kosovën të përfshirë në një produkt, por jo në një tjetër,” theksoi Jagxhiu.
Pavarësisht këtyre sfidave, ai bëri të ditur se institucionet janë në komunikim të vazhdueshëm me kompani si Google dhe Apple, si dhe me partnerë ndërkombëtarë, për të përmirësuar praninë digjitale të Kosovës.
“Ne jemi duke komunikuar vazhdimisht me platforma të mëdha si Google dhe Apple për të përmirësuar përfshirjen e Kosovës,” u shpreh ai.
Jagxhiu theksoi se ndërtimi i identitetit digjital për qytetarët dhe forcimi i sovranitetit digjital të shtetit janë procese që duhet të ecin paralelisht, në mënyrë që Kosova të pozicionohet më fuqishëm në ekosistemin global digjital./Telergafi/.