Ja si të rregulloni shtëpinë që kafsha juaj të ndihet më rehat
Shumë pronarë nuk mendojnë se si ngjyrat në shtëpi ndikojnë te qentë e tyre. Edhe pse ambienti mund të jetë i mbushur me ngjyra të forta dhe moderne, disa tone mund të shkaktojnë stres dhe parehati te kafsha juaj.
Trajnerja profesionale e qenve Annie-Mae Levy shpjegon se disa ngjyra janë më të vështira për t’u perceptuar nga qentë, ndërsa të tjera mund t’i qetësojnë.
Si i shohin qentë ngjyrat?
Shpesh thuhet se qentë nuk shohin ngjyra, por kjo nuk është plotësisht e saktë. Ata janë dihromatikë, që do të thotë se dallojnë më pak ngjyra se njerëzit.
Qentë shohin më mirë – blu, të verdhë, ndërsa – e kuqja dhe e gjelbra u duken më shumë si nuanca kafe. Për këtë arsye, disa kombinime ngjyrash mund t’i ngatërrojnë ose t’i irritojnë, transmeton Telegrafi.
Ngjyrat që mund t’i shqetësojnë qentë
Nëse qeni juaj është i ndjeshëm, disa ngjyra dhe kontraste mund të krijojnë stres në ambient.
1. E kuqja
Qentë nuk e perceptojnë si ne. Ajo u duket më e errët dhe krijon kontrast të fortë me ngjyrat e tjera, gjë që mund t’i dezorientojë.
2. Portokallia e ndezur
Ngjyrë stimuluese që, sidomos në kombinim me tone të ftohta, mund të shkaktojë parehati.
3. Jeshilja e ndezur
Shfaqet si më e verdhë dhe mund të krijojë kontrast të fortë me ambientin, duke irrituar qentë më të ndjeshëm.
4. Kontrasti bardh e zi
Edhe pse estetik për njerëzit, kontrasti i fortë mund të jetë stresues për disa qen.
5. Rozë neon
Ngjyrë shumë intensive që mund të jetë e tepërt për shqisat e qenit.
6. E verdha fluorescente
Qentë e dallojnë shumë mirë të verdhën, prandaj kjo ngjyrë mund të jetë tepër stimuluese dhe madje stresuese.
Ngjyrat që i qetësojnë qentë
Zgjedhja e duhur e ngjyrave mund të ndikojë drejtpërdrejt në gjendjen emocionale të qenit dhe ta bëjë ambientin më të qetë.
Blu e butë
Një nga ngjyrat më të përshtatshme për qentë. Tonet e buta krijojnë ndjenjë qetësie dhe sigurie.
Jeshile e zbehtë (natyrale)
Ngjan me ambientin natyror dhe ndihmon në uljen e stresit, sidomos në hapësira të zhurmshme.
Ngjyra e livandos
Tonet e lehta vjollcë janë të buta për syrin dhe krijojnë një atmosferë relaksuese në shtëpi.
Pse ka rëndësi kjo?
Ngjyrat nuk janë vetëm çështje estetike. Ato ndikojnë në mënyrën si qeni juaj ndjehet në ambientin ku jeton çdo ditë.
Një hapësirë me ngjyra të balancuara dhe të qeta mund:
– të ulë stresin,
– të përmirësojë sjelljen,
– të krijojë një ambient më të sigurt për kafshën.
/Telegrafi/