Donald Trump ka lënë të kuptohet se synon të tërheqë në mënyrë efektive Shtetet e Bashkuara nga aleanca e NATO, duke thënë se aleatët “nuk ishin aty për ne” gjatë konfliktit me Iranin.
Presidenti amerikan deklaroi se një vendim i tillë do t’i kursente SHBA-së qindra miliona dollarë që shpenzohen për mbrojtjen e vendeve të tjera.
Thelbi i NATO-s është premtimi për mbrojtje të ndërsjellë, sipas të cilit shtetet anëtare i dalin në ndihmë çdo anëtari që sulmohet.
Megjithatë, Trump është ankuar vazhdimisht se aleatët kanë injoruar ose refuzuar kërkesat amerikane për ndihmë gjatë tensioneve me Teheranin.
Kjo lidhej veçanërisht me ndërhyrjet iraniane në lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe detare, gjë që shkaktoi çrregullime në furnizimin me naftë dhe rritje të çmimeve të energjisë.
Trump i bëri deklaratat më të fundit gjatë një fjalimi në një samit investimesh në Miami, Florida. Pas një fjalimi të gjatë, moderatori e pyeti se cila ishte sipas tij gabimi më i madh i liderëve botërorë sot.
“Që nuk qëndrojnë të bashkuar,” u përgjigj ai.
“Mendoj se NATO ka bërë një gabim të tmerrshëm. Kur nuk deshën të dërgonin as një sasi të vogël pajisjesh ushtarake, kur thjesht nuk donin të pranonin se çfarë po bënim ne për botën duke iu kundërvënë Iranit. Unë kurrë nuk e kam menduar rrezikun e madh, por lufta është gjithmonë rrezik. Në luftë ndodhin gjëra shumë të këqija, por… ne kemi ushtrinë më të mirë në botë, askush nuk na afrohet, prandaj nuk mendoja se kishte rrezik të madh. Por në luftë gjithmonë ka surpriza. Mund të jenë shumë të pakëndshme. Luftërat humben edhe kur duhet të fitohen. Mendon se një vend do ta shkatërrojë tjetrin, por në fund ndodh e kundërta, kështu që gjithmonë është e rrezikshme”, deklaroi 79-vjeçari.
“Por mendoj se gabimi i madh ishte që NATO thjesht nuk ishte e pranishme. Thjesht nuk ishin aty. Kjo do t’i sjellë shumë para Shteteve të Bashkuara, sepse ne shpenzojmë qindra miliona dollarë çdo vit për NATO-n, duke i mbrojtur ata. Ne gjithmonë do të ishim pranë tyre. Dhe tani, duke parë veprimet e tyre, ndoshta nuk kemi më pse, apo jo?”, pohoi Trump. /Telegrafi/