Shpesh zbulohet rastësisht, por lidhet ngushtë me rezistencën ndaj insulinës, mbipeshën dhe çrregullimet metabolike
Pankreasi i yndyrshëm po përmendet gjithnjë e më shpesh si një gjetje që i befason pacientët pas një kontrolli rutinë me ultratinguj, zakonisht pa simptoma të qarta që do ta tregonin më herët. Edhe pse për një kohë të gjatë është konsideruar si një gjetje e rastësishme pa rëndësi të madhe klinike, vitet e fundit po i kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje lidhjes së tij me çrregullimet metabolike, sidomos me rezistencën ndaj insulinës, mbipeshën dhe rritjen e yndyrnave në gjak.
Kjo gjendje njihet si steatozë pankreatike ose lipomatozë e pankreasit dhe në literaturë shpesh përmendet si pankreas i yndyrshëm që nuk lidhet me alkoolin. Në thelb, bëhet fjalë për grumbullim të yndyrës në indin e pankreasit.
Si “yndyroset” pankreasi?
Ky proces nuk ndodh brenda natës. Yndyra mund të depozitohet gradualisht, si mes pjesëve të pankreasit, ashtu edhe brenda vetë qelizave, përfshirë edhe zonat që prodhojnë hormone. Kjo është e rëndësishme sepse pankreasi luan rol kyç në rregullimin e sheqerit në gjak.
Shkaqet dhe faktorët e rrezikut
Zakonisht nuk është vetëm një shkak, por kombinim faktorësh që veprojnë për një kohë të gjatë. Më të shpeshtit janë:
- mbipesha, sidomos dhjami në zonën e barkut
- rezistenca ndaj insulinës, paradiabeti ose diabeti tip 2
- yndyrna të larta në gjak
- tensioni i lartë
- stil jetese jo i shëndetshëm (mungesë lëvizjeje, ushqim jo i mirë, stres dhe gjumë i dobët)
Shpesh, pankreasi i yndyrshëm shoqërohet edhe me mëlçinë e yndyrshme dhe është pjesë e një tabloje më të gjerë metabolike, transmeton Telegrafi.
Si diagnostikohet?
Më së shpeshti zbulohet rastësisht gjatë ultrazërit, por mund të vlerësohet edhe me skaner, rezonancë magnetike apo metoda më të avancuara. Megjithatë, ultrazëri ka kufizime dhe jo gjithmonë jep pasqyrë të plotë.
Është e rëndësishme të kuptohet se pankreasi i yndyrshëm konsiderohet më shumë si një gjendje paralajmëruese sesa sëmundje më vete, por ai sinjalizon nevojën për kontroll të metabolizmit dhe rrezikut kardiovaskular.
Kur duhet kujdes i shtuar?
Nëse shfaqen simptoma si:
- dhimbje të vazhdueshme në pjesën e sipërme të barkut
- humbje peshe pa arsye
- jashtëqitje me yndyrë ose diarre
- të përziera të shpeshta
- diabet i sapo diagnostikuar
atëherë është e nevojshme konsultë me specialist dhe analiza shtesë.
Si trajtohet pankreasi i yndyrshëm?
Nuk ekziston një “zgjidhje e shpejtë” me një tabletë. Zgjidhja qëndron te përmirësimi i stilit të jetesës:
- ulja e yndyrës trupore, sidomos në zonën e barkut
- ushqim i balancuar me më pak ushqime të përpunuara dhe më shumë fibra e proteina
- aktivitet fizik i rregullt (kombinim ushtrimesh force dhe kardio)
- gjumë cilësor dhe menaxhim i stresit
- përdorim i kujdesshëm i suplementeve, vetëm sipas këshillës së mjekut
Në vend që të kërkohet një dietë “perfekte”, është më e rëndësishme të krijohen rutina të qëndrueshme. Kur organizmi arrin ekuilibër, kjo reflektohet në më shumë energji, fokus më të mirë dhe gjendje të përgjithshme më të mirë shëndetësore. /Telegrafi/