Florent Muslija erdhi gjashtë vite më parë te Kombëtarja e Kosovës si një shpresë e madhe. Një futbollist me potencial të jashtëzakonshëm, që la pas grupmoshat e Gjermanisë për të veshur fanellën e vendit të tij, fanellën e “Dardanëve”.
Mesfushori ofensivë debutoi në një ndeshje shumë të rëndësishme, ndaj Çekisë më 7 shtator, në fitoren 2-1 që mbajti gjallë ëndrrën për Evropian. Ishte një natë që ndezi shpresat… por për të, rrugëtimi sapo kishte filluar dhe nuk do të ishte i lehtë.
Fillimi i Muslijës në Kombëtaren e Kosovës nuk ishte ai që shumëkush e kishte imagjinuar. Shpeshherë ai qëndronte 90 minuta në bankën rezervë, herë në tribunë, e ndonjëherë aktivizohej vetëm për tre minuta, aq pak, sa mezi arrinte të prekte topin.
Viti 2021 ishte ndoshta prova më e madhe e durimit të tij. Nga 11 ndeshje të zhvilluara nga Kosova, ai luajti vetëm tri, duke grumbulluar minuta thuajse simbolike: 6 minuta ndaj Greqisë, 3 ndaj Suedisë dhe 4 ndaj Gjeorgjisë.
Por aty ku shumë do të dorëzoheshin, Muslija zgjodhi të luftojë. Nuk u dëshpërua. Nuk u demoralizua. Nuk hoqi dorë. Ai vazhdoi të punojë në heshtje, me kokën ulur dhe me një qëllim të vetëm, t’ia dëshmoj tjerëve se gabuan me të dhe ta rikthejë karrierën e tij në binarë si në klub ashtu edhe në Kombëtare.
Dhe nga viti 2022, gjithçka filloi të ndryshojë.
27-vjeçari tashmë nuk është më ai lojtari i minutave të fundit. Sot flasim për një tjetër Florent, për “trurin” e Kombëtares së Kosovës në fushë. Një lider i heshtur, nga këmbët e të cilit lind çdo aksion, një futbollist që të bën ta shijosh futbollin sa herë ka topin dhe të bënë të dashurosh lojën më të bukur në botë.
Në një intervistë për Telegrafin, Muslija tregon se nuk i intereson se sa luan, atij i intereson vetëm suksesi i Kombëtares së Kosovës.
“Unë kur kam ardhur te Kosova kam ardhur ta ndihmoj vendin tim, pa marrë parasysh sa minuta më jepen, një, dy apo 20. Jam krenar që e vesh këtë fanellë dhe sa herë Kosova fiton”, ka thënë Muslija për Telegrafin.
“Pak ka rëndësi nëse luaj apo qëndroj në bankë apo në tribunë, gjithmonë do të jap maksimumin për vendin tim”.
Tifozët tashmë e krahasojnë me Pedrin e Barcelonës, për mënyrën si lëviz, si mendon dhe si krijon në fushë. Por Muslija ka krijuar identitetin e tij, një stil që është bërë thelb i lojës së Kosovës.
Dhe jo vetëm asistime. Ai di edhe të shënoj, por jo gola normal, vetëm golaspektakolar.
Në fundin e kualifikueseve shënoi një gol spektakolar ndaj Zvicrës, ndërsa ndaj Sllovakisë realizoi një kryevepër nga gjuajtja e lirë, një moment që ndezi stadiumin në Bratislavë dhe zemrat e tifozëve për rikthimin spektakolar të Kosovës.
“Trajneri më beson, më jep liri dhe fusha po tregon më së miri se çfarë jam në gjendje të bëj”.
“Goli i parë nga goditja e lirë me Kombëtaren ishte i veçantë, sepse na afroi më shumë drejt Botërorit”, thotë Muslija.
Sot, ëndrra është më e gjallë se kurrë, Kosova është vetëm një fitore larg diçkaje të paimagjinueshme,të shkoj në Kampionatin Botërorë.
Të martën mbrëma me fillim nga ora 20:45, Dardanët presin Turqinë në ‘Fadil Vokrri’ dhe një triumf në atë takim do të thotë kualifikim në Kupën e Botës që zhvillohet këtë vit në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Muslija ka një mesazh të qartë dhe është një mesazh që buron nga thellësia e zemrës.
“Asgjë nuk ka përfunduar. Në ndeshjen e radhës do të ‘vdesim’ në fushë për t’i bërë të lumtur tifozët tanë dhe për të arritur objektivin që të shkojmë në Botërorë”.
“Nuk do të jetë e lehtë. Por ne jemi Kosova. Jemi djem dardanë që japim gjithçka për këtë fanellë”, përfundoi Muslija.
Dhe ndoshta, pikërisht kjo është historia më e bukur, nga tre minuta në fund të ndeshjeve… në zemrën dhe trurin e një Kombëtareje që ëndërron Botërorin. /Telegrafi/