Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike e Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës, ku diskutoi zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi rrjedhën institucionale pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas komunikatës së lëshuar nga LDK, Aktgjykimi ka sjellë qartësi juridike dhe ka rikthyer procesin në kornizën kushtetuese, duke përcaktuar rrugën që institucionet duhet të ndjekin në vijim.
Grupi Parlamentar i LDK-së riafirmoi qëndrimin e tij për respektim të plotë të rendit kushtetues, funksionim normal të institucioneve dhe ruajtje të balancës demokratike në vend.
LDK thekson se çdo veprim politik duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia shtetërore dhe jo nga kalkulimet partiake, ndërsa institucioni i Presidentit duhet të mbetet figurë unifikuese mbi palët politike dhe në shërbim të stabilitetit të Republikës.
“LDK mbetet e përkushtuar për një zgjidhje që garanton unitet institucional, përfaqësim gjithëpërfshirës dhe shmang çdo tendencë për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme. Institucioni i Presidentit duhet të jetë figurë unifikuese, mbi palët politike, dhe në shërbim të rendit kushtetues dhe stabilitetit të Republikës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
LDK nënvizon se zgjedhja e Presidentit nuk mund të bëhet me improvizime procedurale, por vetëm përmes një marrëveshjeje politike që garanton unitet institucional dhe balancë demokratike.
Në rast të zgjedhjeve të parakohshme, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të garojë e bashkuar, me vizion të qartë dhe e gatshme për besimin qytetar./Telegrafi/