Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është ndaluar qarkullimi i mjeteve bujqësore në territorin e kryeqytetit.
Përmes një postimi publik, ai ka bërë të ditur se ndalesa vlen për të gjitha mjetet e destinuara për punë bujqësore, përfshirë motokultivatorët dhe multikultivatorët.
“Informojmë të gjithë drejtuesit e motokultivatorëve/multikultivatorëve dhe makinerive tjera të destinuara për punë bujqësore se qarkullimi i tyre në kryeqytet është i ndaluar”, ka theksuar Rama.
Ai ka paralajmëruar se institucionet përgjegjëse do të angazhohen për zbatimin e këtij vendimi në terren.
“Policia e Kosovës dhe Inspektoriati Komunal do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme dhe do të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj çdo shkelësi”, ka shtuar ai.
Autoritetet lokale nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me kohëzgjatjen e kësaj mase, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të respektojnë rregullat në fuqi për të shmangur ndëshkimet. /Telegrafi/