Pas fitores historike të Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë (3-4), Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur mirënjohjen e saj më të sinqertë për tifozët që e mbështetën ekipin në çdo hap.
Në një komunikatë zyrtare, FFK thekson se përkrahja e jashtëzakonshme nga qytetarët, si në vend ashtu edhe në diasporë, përfshirë ata që udhëtuan drejt Sllovakisë, është dëshmi e lidhjes së fortë me fanellën dardane.
Për shkak të interesimit të madh për ndeshjen finale Kosovë – Turqi, i cili tejkalon kapacitetin e stadiumit “Fadil Vokrri”, Federata në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës ka njoftuar organizimin e aktiviteteve të veçanta në kryeqytet.
Përmes ekraneve gjigante, qytetarët do të kenë mundësinë të ndjekin këtë përballje historike dhe të ndiejnë emocionin e tifozërisë kudo ku ndodhen.
FFK ka falënderuar gjithashtu ata që siguruan biletat për ndeshjen, edhe kur ende nuk ishte e konfirmuar nëse bëhej fjalë për finale apo miqësore, duke theksuar besimin dhe dashurinë e madhe ndaj ekipit dardan.
Sidoqoftë, Federata ka shprehur keqardhje për pamundësinë për t’iu përgjigjur të gjithë interesimit të jashtëzakonshëm, duke theksuar se kapaciteti i stadiumit nuk mund të tejkalohet sipas rregulloreve të UEFA-s dhe FIFA-s.
Postimi pa ndërhyrje
Federata e Futbollit e Kosovës shpreh mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë ata që besojnë dhe e mbështesin pandërprerë Kombëtaren tonë. Përkrahja e jashtëzakonshme nga qytetarët, si në vend ashtu edhe në diasporë, përfshirë edhe numrin e madh të atyre që udhëtuan drejt Sllovakisë, është dëshmi e lidhjes së fortë dhe të përhershme me fanellën dardane.
Duke qenë se interesi për ndeshjen finale Kosovë – Turqi tejkalon kapacitetin e stadiumit, Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do të organizojë aktivitete të veçanta në kryeqytet, ku përmes ekraneve gjigante qytetarët do të kenë mundësinë ta ndjekin këtë përballje historike.
Qëllimi është krijimi i një atmosfere gjithëpërfshirëse, ku secili tifoz të ndjejë emocionin dhe krenarinë e përkrahjes ndaj Kombëtares së Kosovës.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që siguruan biletat për këtë ndeshje, edhe në një fazë kur ende nuk ishte e konfirmuar nëse do të bëhej fjalë për një finale apo një ndeshje miqësore, një dëshmi kjo e besimit dhe dashurisë së madhe ndaj ekipit dardan.
Në të njëjtën kohë, shprehim keqardhje për pamundësinë që t’i përgjigjemi interesimit të jashtëzakonshëm të tifozëve për të qenë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar të tij.
Andaj, edhe një herë njoftojmë opinionin publik se nuk ka më asnjë biletë në dispozicion. Një pjesë e tyre janë të rezervuara për tifozët mysafirë, sipas obligimeve ndërkombëtare, si dhe për partnerët, ku edhe këtë herë numri ka qenë tejet i kufizuar.
Federata është e obliguar t’u përmbahet rregulloreve të UEFA-s dhe FIFA-s, të cilat nuk lejojnë tejkalimin e kapacitetit të regjistruar zyrtarisht të stadiumit, prandaj nuk ekziston asnjë mundësi për tejkalim të numrit të përcaktuar të biletave.
Me besimin dhe shpresën se kjo ndeshje do të kurorëzohet me sukses, synimi ynë i përbashkët mbetet që festa e futbollit të shtrihet në çdo cep të vendit.
Prandaj, ftojmë qytetarët që mbështetjen për djemtë dardanë ta japin nga sheshet, por edhe nga shtëpitë e tyre. Përkrahja e tyre ndjehet kudo ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.
Të bashkuar për suksesin historik!
Forca Kosovë!
/Telegrafi/