Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave në vend që të organizojnë vendosjen e ekraneve të mëdha nëpër qytete, për t’u mundësuar qytetarëve ndjekjen e ndeshjes vendimtare të Kosovës për kualifikim në Kampionatin Botëror.
Përmes një postimi publik, Rama e ka cilësuar të martën si një moment historik për vendin.
“Të martën na pret një moment historik për shtetin tonë, mundësia që Kosova të shkruajë historinë me kualifikimin në Kampionatin Botëror”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se interesimi i madh i qytetarëve tejkalon kapacitetin e Stadiumi Fadil Vokrri, duke bërë të nevojshme alternativa të tjera për ndjekjen e ndeshjes.
“Megjithatë, kapaciteti i Stadiumit ‘Fadil Vokrri’ është tejet i vogël për të gjithë ata që duan të jenë në këtë ndeshje vendimtare”, ka theksuar Rama.
Në këtë drejtim, ai ka ftuar komunat që të bashkërendojnë organizimin e hapësirave publike për shikimin e përbashkët të ndeshjes.
“Prandaj, në frymë bashkëpunimi dhe solidariteti, ftojmë kryetarët e komunave që të organizojnë vendosjen e ekraneve të mëdha, në pajtim me rrethanat e sigurisë publike, në sheshet e qyteteve të tyre”, ka deklaruar ai.
Rama ka bërë thirrje për unitet dhe mbështetje të kombëtares, duke e cilësuar këtë si një moment që duhet përjetuar bashkërisht nga të gjithë qytetarët.
“Le ta kthejmë çdo shesh në një tribunë mbështetjeje, çdo qytet në një zë të vetëm dhe çdo qytetar në lojtarin e dymbëdhjetë të kombëtares sonë”, ka shtuar ai. /Telegrafi/