Gazetari libanez, Hasan Illaik ka deklaruar se, sipas informacioneve që posedon, një pushtim amerikan ndaj Iranit, nëse Donald Trump vendos për një hap të tillë, mund të nisë nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Gazetari libanez, i cili për shumë vite ka punuar për gazetën libaneze Al-Akhbar, e cila lidhet me Hezbollahun, ka theksuar se Irani informacionet për “rrugën” e mundshme të sulmit i ka marrë nga një shtet i madh.
“Të dhënat e inteligjencës që Irani ka marrë nga një shtet i madh tregojnë për fillimin e afërt të një pushtimi amerikan ndaj ishujve iranianë pranë Ngushticës së Hormuzit, i cili do të zhvillohet nga territoret nën kontrollin e regjimit të Emirateve. Këshillë për miqtë në EBA: Kur të fillojë ky invazion, largohuni shpejt nga vendi, në rrugë tokësore, drejt Omanit ose Arabisë Saudite. Fillimi i këtij pushtimi do ta bëjë përgjigjen iraniane ndaj regjimit të Emirateve diçka që asnjë sy nuk e ka parë, asnjë vesh nuk e ka dëgjuar dhe asnjë mendje e Bin Zayed nuk e ka imagjinuar. Dimri po vjen për shtëpinë Nahyan”, ka deklaruar gazetari, duke iu referuar familjes sunduese në Emirate.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump të enjten ka deklaruar se bisedimet me Iranin po vazhdojnë dhe, me këtë qëllim, siç theksoi ai, ka shtyrë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit.
“Me kërkesë të qeverisë iraniane, ju lutem që kjo deklaratë të shërbejë si konfirmim se po e pezulloj periudhën e shkatërrimit të termocentraleve për 10 ditë, deri të hënën, më 6 prill 2026, në orën 20:00 sipas kohës lindore. Bisedimet janë duke vazhduar dhe, pavarësisht deklaratave të pasakta të mediave që përhapin lajme të rreme dhe të tjerëve, ato po shkojnë shumë mirë”, përfundoi ai.
Ndryshe, SHBA-ja pritet të dërgojë mbi 10 mijë trupa shtesë në Lindjen e Mesme. /Telegrafi/